2008-08-22 16:26:42

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës:"Mariana Blondë, nxënësja 'plakë', që u bë mësuese".


(22.08.2008 RV)RealAudioMP3 Në moshën 22 vjeçare, Ester Blondë nuk dinte këndim as shkrim. Shumica e kanadezëve të kohës së saj (Ester lindi në vitin 1809), ishin në të njëjtën gjendje. Në qytetet e mëdha kishte disa shkolla, por bijtë e katundarëve, si Ester, nuk kishin asnjë mundësi të shkolloheshin. Prindërve u pëlqente më shumë t’i mbanin pranë e të punonin së bashku tokën.
Po Ester zgjodhi një punë tjetër: hyri si shërbyese tek disa murgesha, të cilat sapo kishin ardhur aty për të hapur një shkollë. Çdo mbrëmje, ndërsa pastronte dërrasën e zezë, Ester psherëtinte thellë. Ç’kuptim kishin, vallë, këto vija hollake e të spërdredhura, shënuar me shkumës mbi dërrasën e zezë? E librat që shpluhëronte në raftet e bibliotekës? Kush e di ç’thesare fshiheshin pas fletëve të tyre, pas germave, pas figurave…. Ester bindet se kur nuk di të shkruash, as të lexosh, të mungon diçka themelore... Librat të hapin para gjithësinë, ku analfabetët nuk mund të hyjnë kurrë…
Kurrë? Nuk është kurrë vonë për të mësuar, as kur i ke mbushur të 22 vjetët. Ester bëhet edhe nxënëse, në shkollën ku shërben si pastruese. Kjo nxënëse ‘plakë’ mëson me shpejtësi rrufeje të lexojë e të shkruajë, pa e ndërprerë fare punën. E ja që dy vjet më pas, në vitin 1833, arrin të bëhet mësuese, gjë që flet qartë për përparimin e saj të stuhishëm.
Në vendin ku shkon për të dhënë mësim, zbulon, më në fund, pse kanadezët janë të gjithë analfabetë. Fajin e ka një rregull i vendosur në shkollat famullitare, që i ndalon gratë t’u japin mësim meshkujve e burrave, të mësojnë femrat. Për ta zbatuar këtë rregull , duheshin hapur dy shkolla për çdo vend: një e drejtuar prej një mësuesi e një tjetër, prej një mësueseje. Por shumica e vendeve nuk kanë aq para, sa të mbajnë dy shkolla, e kështu shpesh herë zgjidhet rruga më e shkurtër: nuk hapet asnjë shkollë.
Ester punon disa vjet për të hartuar një projekt, që krijon mundësitë për shfuqizimin e këtij rregulli të papërshtatshëm e kufizues. Në vitin 1850 themelon Kongregatën, që njihet me emrin ‘Motrat e Shën Anës’. Quhet Motra Marianë e bëhet eprorja e parë e kësaj kongregate. Motrat marrin nga ipeshkvi lejën për themelimin e shkollave të përzjera, pavarësisht nga rregullat e vjetra e nga mosbesimi i bashkëkohasve për këtë përzjerje të djemve me vajzat.
Por Motër Marianën nuk e shqetëson fare ky mosbesim. Ajo që ka rëndësi, është se, më në fund, ia doli mbanesh t’u dhurojë kanadezëve thesaret e leximit e të shkrimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.