2008-08-21 18:16:11

Seminari i 40-të ndërkombëtar mbi emergjencat planetare në Eriçe të Italisë.


(21.8.2008 RV)Këtyre ditëve e sakësisht me datë 20 gusht në Eriçe të Trapanit të Italisë filloj punimet shkencore Seminari i 40-të ndërkombëtar për emergjencat planetare, organizuar nga Federata botërore shkencëtarëve dhe nga Qendra e kulturës shkencore “Ettore Majorana” me seli në qytetin siçilian. Në takim marrin pjesë 120 shkencëtarë nga 70 qendra kërkimore nga e gjithë bota që përqendrohen te kriza energjitike botërore, klimatologjia, pasojat e ndryshimeve klimatike mbi shëndetin, situata e çarmatimit dhe e mosprodhimit e mospërhapjes së armëve. Mbi këto në mikrofonin e Radio Vatikanit flet prof. Antonio Xikiki (Zichichi), themelues i qendrës “Ettore Majorana”:

Përgjigje: Kriza energjitike botërore është një problem i madh, sepse më se dy miliardë njerëz janë përballë asaj që ne jemi mësuar ta quajmë “nivel i jetës me të cilin jemi mësuar”. Ne jemi 800 milionë njerëzish të privilegjuar, por ka dy miliardë njerëz që do të donin të kishin të njëjtën sasi energjie që ne përdorim. E si mund të arrihet kjo? Çmimi naftës që ka shkuar në qiell është tregues i domethënies së nevojës për energji. Ne jemi grykës për energjinë dhe nuk mund të pretendojmë që të tjerët të rrijnë e të na shohin pa kërkuar asgjë. Rrugëdalja cila është? Kjo është tema kryesore dhe sipas studimeve që kemi bërë, rrugëdalja është ajo bërthamore. Energjia bërthamore është demonizuar, por është një nga zbulimet më të mëdha të mendjes njerëzore. Mendoni sikur të kishim një pajisje tek e cila fusim një euro dhe del një panine dhe një pajisje tjetër ku fusim një euro e dalin një milion panine. Cilën pajisje do të përdornit? Energji bërthamore do të thotë kursim një milion herë në shndërrimin e masës në energji.


Pyetje: Të kthehemi te kriza energjitike botërore. Ju thoni se duhet të rizbulojmë energjinë bërthamore, por njerëzit duket se kanë frikë nga kjo. A është kjo një gjë që duhet mbajtur parasysh apo jo?


Përgjigje: E drejtë. Njerëzve u duhet shpjeguar se problemi bërthamor është një problem që duhet zgjidhur me saktësi shkencore.


Pyetje: Prof. Xikiki, klima. Të gjitha gazetat thonë se klima po ndryshon, se kemi dukurinë e serrës, bën më të nxehtë, ka thatësira. Ju a iu besoni këtyre gjërave apo jo? Janë të vërteta apo jo?


Përgjigje: Kjo do të jetë një temë në qendër të seminarit. Cilat janë provat për të thënë se klima po ndryshon? Nuk duhet të harrojmë se pikërisht në Eriçe ka lindur kritika e thellë mbi strukturat matematike të këtyre modeleve. Çdo gjë mund të përshkruhet me një model matematik. Në modelin matematik për të bërë parashikime duhet të jesh i besueshëm. Pse shkenca është e besueshme? Sepse kur thotë se po ndodh diçka, atëherë me të vërtetë ndodh. Sikur kometa Halej të mos ishte shfaqur në qiell... Në këtë mënyrë fillon besueshmëria shkencore dhe ne duhet ta mbrojmë këtë besueshmëri dhe duhet të themi se çka është shkencë e çka janë thashetheme. Këtu do të diskutohet për gjithçka që ka të bëjë me provat sipas të cilave klima po ndryshon. Nuk duhet harruar se klima ka ndryshuar shumë herë në 500 milionë vjetët e fundit. Katër herë akullnajat janë shkrirë krejtësisht e janë formuar përsëri. Pse në Polin e Veriut ka naftë? Sepse përpara qindra milionë vjetësh Poli i Veriut ishte plot me pemë. Pra duhet të kuptojmë sesi janë punët për të ndërhyrë. Dhe këtu bëhet një analizë shkencore e rreptë e gjithë asaj çka ne dimë.


Pyetje: Pra ju thoni se natyra ka një rrjedhë të vetën pavarësisht nga ajo që mendojnë njerëzit apo që mund të shkruajnë gazetat?


Përgjigje: Absolutisht po.


Pyetje: Këto ndryshe klimaterike kanë pasoja pastaj për njerëzit...


Përgjigje: Një temë që do të trajtohet këtu është “Cilat janë pasojat të këtyre të ashtuquajturave ndryshime klimatike”. Pra duhen studjuar të gjitha këto probleme për të kuptuar me të vërtetë se ç’po ndodh, nëse diçka është duke ndodhur. Ka një shkollë mendimi e cila thotë se nuk është e vërtetë asgjë, për shembull. Prandaj të analizosh në mënyrë të saktë këto tema, do të thotë t’i japësh njerëzimit një përgjigje të saktë për atë çka ne me të vërtetë dimë.







All the contents on this site are copyrighted ©.