2008-08-21 16:31:25

Me Nënë Terezën : “Nëna, po, e dinte!”.


(21.08.2008 RV)RealAudioMP3 Sot, në emisionin tonë të tetëmbëdhjetë të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime’, e Lumja e parë shqiptare na tregon një ngjarje që dëshmon se dashuria e pastërt e frymëzon njeriun të kryejë vepra heroike. Po ku mund të gjindet një dashuri e tillë? Të dëgjojmë Nënë Terezën:

“Një herë një burrë erdhi në shtëpinë tonë e më tha:
‘Këtu pranë jeton një familje induiste me tetë fëmijë, të cilët ka ditë që nuk vënë gjë prej gjëje në gojë’.
Si e dëgjova këtë, mora pak oriz e dola me vrap që t’u jepja menjëherë diçka për të ngrënë.
Hyra pa trokitur, sepse porta ishte e hapur.
Tetë palë sy u ngulën tek ena që mbaja në dorë.
Tetë palë gojë të vogla u hapën, ndërsa në tetë fytyrat e njoma lexohej qartë vuajtja që shkakton uria.
Ia dorëzova orizin nënës. Ajo, për çudinë time, e ndau në dy pjesë të barabarta, e mori njërën e doli menjëherë nga shtëpia.
Kur u kthye, e pyeta:
’Ku ishe? Ç’e bëre orizin?’.
Përgjigja e saj ishte tepër e shkurtër:
‘Edhe ata kanë uri!’.
Po kush ishin ‘ata’ – ‘të tjerët’?
Një familje myslimane, që jetonte aty pranë e që kishte po aq fëmijë.
Kjo grua e dinte se edhe ata kishin uri.
Ajo që më preku deri në thellësi të zemrës, ishte pikërisht fakti se ‘ajo e dinte’, e me që e dinte, u bë bujare deri në heroizëm: ua hoqi orizin nga goja fëmijëve të saj, për t’ua dhuruar fëmijëve të tjerë, sepse ‘e dinte’ që edhe ata kishin uri!
Ç’mrekulli!
Kjo është dashuri e pastërt, njerëzore, e vërtetë, që nuk e takojmë kudo.
Kjo grua dhuroi me dhimbje. Por nuk ngurroi të dhuronte.
Atë natë nuk u ktheva për t’u çuar përsëri oriz. Desha ta provonin me fund gëzimin që ndjen kur jep, ku ndan me tjetrin edhe kafshatën e fundit.
Veç t’i shikoje fytyrat e vocrrakëve, si ndriçonin nga ky gëzim i papërshkrueshëm.
Ata, po, e kishin kuptuar fare mirë ç’ kish bërë e ëma.
Kur pata hyrë, fytyrat e tyre ishin të trishtuara, me shenjat e dukshme të urisë, por gjesti i nënës u dha mësimin më të çmuar, që s’mund ta japë asnjë shkollë: u mësoi ç’do të thotë dashuri e vërtetë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.