2008-08-20 17:16:08

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Rëne Laenek dhe shpikja e stetoskopit".


(20.08.2008 RV)E sëmura çuditet pa masë. Doktor Laenek erdhi përsëri ta vizitojë? E pra ajo nuk e ka thirrur!?
“Zonjë, më falni për këtë vizitë të papritur”, shpjegon Laenek, me një vështrim rrezëllues. “Por besoj se kam bërë një zbulim të madh. Kam gjetur mënyrën të dëgjoj ç’ndodh në mushkëritë tuaja. Kështu mund të bëj një diagnozë shumë më të saktë”.
Ndërsa flet, Laenek merr në dorë shpikjen e tij: s’është gjë tjetër, veçse një fletë letre e bërë gyp. E sëmura ia kris gazit.
“A kjo qenkërka ajo ‘gjëja’ që ju ndihmon t’i kontrolloni mushkëritë, a?”.
“Pikërisht kështu! Shiko. Vihet skaji i tubit mbi gjoks dhe mbështetet veshi në skajin tjetër. Shëttt! Merr frymë! … Kollitu!... Merr frymë….”.
Laenek e mba për një kohë të gjatë veshin të ngjitur tek tubi i mbështeur mbi gjoksin e gruas. Sytë i shkëlqejnë gjithnjë më shumë.
“E jashtëzakonshme! Dëgjoj gjithçka! Frymëmarrja juaj ndëpritet nga disa zhurma të çuditshme të cilat, për fat të keq, janë shenjë e tuberkulozit. Por në se do ta përsos shpikjen time, mjekët do të mund ta kuptojnë më mirë këtë sëmundje e edhe ta mjekojnë më mirë”.
Laenek çmendet nga gëzimi. Natyrisht nuk është gjetur akoma ilaçi i tubekulozit, por… ç’ përparim! Në shekullin XIX mijëra njerëz vdesin nga kjo sëmundje. Laenek e ka kaluar gjithë jetën duke e luftuar e ja, sot ka arritur fitoren e parë. Kur njofton kolegët për zbulimin, shumë prej tyre tallen me dashakeqësi. E pra aparati që shpiku, stetoskopi, nuk përbën kurrfarë rreziku për të sëmurët. Por mjekët e tjerë janë ziliqarë. Duhet sqaruar edhe se Laeneku njihet si i krishterë tepër i zellshëm. Mjekon të sëmurët, sepse kjo është mjeshtria e tij, por para së gjithash, sepse beson se Zoti e ka thirur të shpëtojë jetë. Tani, e kujtojmë se jemi në shekullin XIX, shumica e njerëzve të shkencës janë ateistë: mendojnë se Zoti nuk ekziston. Prandaj e shikojnë shtrembër Laenekun e nuk ngurrojnë ta marrin nëpër gojë e ta kritikojnë.
“E të mendosh se, pasi e shpiku stetoskopin e tij qesharak, shkoi… ku thua ti? … Fill e në Kishë për të falënderuar qiellin. Ç’torollak!”.
Por Laenek e dëshmon sa vlen ka zbulimi, duke përcaktuar me saktësi disa raste tuberkulozi. Ai vetë vdes nga kjo sëmundje, të cilën e mori duke mjekuar të sëmurët. Pas vdekejs së tij, përdorimi i stetoskopit u bë i zakonshëm në të gjitha spitalet. Falë fitores së parë të Laenekut, e pastaj, zbulimit të vaksinës, sot tubekulozi pothuajse është zhdukur.







All the contents on this site are copyrighted ©.