2008-08-18 16:35:39

Në rubriken 365 ditë:"Françesk Zhakard, misionar në Indokinë".


(18.08.2008 RV)RealAudioMP3 Kureshtja i shtyn të gjithë banorët e këtij fshati të vogël të Indokinës të mblidhen rreth misionarit. Të ulur në formë rrethi, ia ngulin sytë njeriut të çuditshëm, ardhur nga skaji tjetër i botës. Është I thatë e shumë i gjatë. E ç’mjekërr ka! Këta aziatikë, që rruhen gjithnjë me shumë kujdes, s’ kanë parë kurrë një mjekërr kaq të gjatë e të dendur.
Shumë shpejt misionari e kalon provimin e parë: fiton simpatinë e katundit! Duhet pranuar se është paksa i çuditshëm, me ballin gjithnjë të dërsitur. Duket se nuk është mësuar me diellin përvëlues të xhunglës. Banorët e fshatit shkëmbejnë, në gjuhën e tyre, ca komente për këtë qyqar, që i çudit, por edhe i prek në zemër. Por ja që, papritmas, evropiani i madh nxjerr nga çanta një pako vigane dhe nis ta shpalosë me kujdes. Të gjithë sytë ngulen në duart e tij. Ç’ka mbështjellë aty?
Ka piktura! Litografi, fletë letre mbi të cilat janë shtypur figura të skicuara mbi gur me bojë shkrimi. Fshatarët shtyhen për t’i parë nga afër figurat. Ç’ kuptim kanë? Ky vizatim, për shembull, në të cilin një burrë e një grua janë gjunjëzuar para një foshnjeje të posalindur?... e pranë tyre duken një gomar e një lloj kau? Ç’histori tregon kjo pikturë kaq e bukur?
Fshatarët presin shpjegime, plot kureshtje. E Françesk Zhakardi mezi ç’pret. Erdhi në Azi pikërisht për t’u kumtuar banorëve të Indokinës historinë e Jezusit, për t’i nxitur të bëhen të krishterë. Por do t’i duhet kohë, para se ata ta kuptojnë. Jemi në vitin 1824 e Françesku sapo ka ardhur këtu nga Franca. Në se ke lindur në një fshat të Savojës së Epër, natyrisht s’ke mundur t’i mësosh që në vegjëli dialektet e Indokinës. Françesku nisi t’i mësojë gjuhët lindore vetëm atëhere, kur vendosi të bëhej misionar. Por në pritje për t’i folur mirë, solli me vete këto piktura, që tregojnë ngjarjet e Biblës. Është një mënyrë për ta paraqitur fenë e tij. Pak nga pak do t’i gjejë edhe fjalët, për ta plotësuar shpjegimin...
Françesku do të kalojë 14 vjet në Indokinë, vend të cilit i kushtoi të gjitha energjitë. Arriti, madje, të bëhet mik e përkthyes i mbretit Ninh Mang, gjë që tregon sa mirë e mësoi gjuhën vendase. Vdiq martir në vitin 1838, i mbytur nga autoritete, që e urrenin krishterimin. Por ndërkaq arriti ta tregojë shumë herë e në shumë fshatra, historinë e jetës së Jezu Krishtit. Gjon Pali do ta shpallte shenjt në vitin 1988.







All the contents on this site are copyrighted ©.