2008-08-18 16:45:46

Me Nënë Terezën : “Më në fund, ngrohtësia e një dore”.


(18.08.2008 RV)RealAudioMP3 “Më në fund, ngohtësia e një dore…!” - titullohet emisioni ynë i pesëmbëdhjetë i ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, që bazohet tek libri ‘Jeta ime’.

“Në Melburn kemi një shtëpi për njerëzit e alkoolizuar. Të alkoolizuar e të braktisur.
Një ditë njerin prej tyre e rrahu për vdekje një shok mjerimi.
Duhej thirrur policia.
Kështu edhe bëmë e kur arritën policët, nisën ta pyesin të plagosurin.
“Kush t’i shkaktoi këto plagë?”.
Njeriu i plagosur trilloi gjithfarë gënjeshtrash, duke treguar qartë se nuk e kishte fare ndër mend të rrëfente të vërtetën, domethënë, emrin e njeriut që e kishte rrahur”.
Policët u nisën e shkuan pa zbuluar asgjë.
Atëherë e pyeta:
“A mund ta dimë pse nuk i tregove policëve kush t’i shkaktoi plagët?”.
Ai më pa drejt në sy e më tha:
“Se mos do të më ishte lehtësuar dhimbja, në se ai do të dënohej”.
Kishte heshtur, sepse nuk donte të vuante edhe ai që e kishte plagosur.
Sa e madhe dhe e bukur është dashuria e njerëzve tanë.
Kjo është një mrekulli e vërtetë, që e shikojmë çdo ditë ndërmjet të varfërve.
I quajmë të varfër, po në të vërtetë janë shumë më të pasur se ne me dashuri.
Një ditë, duke ecur në rrugët e një qytetit të madh evropian, u shkapeta me një burrë të bërë tapë.
Kishte një pamje tepër të trishtuar.
E pashë në sy e, si ia mora dorën në dorën time, e pyeta:
“Si e ndjeni veten? (kujtoj se duart e mia janë gjithnjë të nxehta).
E ai:
“Ohhh! Më në fund, pas kaq vjetësh, po provoj për herë të parë ngrohtësinë e një dore njerëzore”.
E fytyra e tij u mbush me dritë. Buzëqeshi i lumtur.
Me këtë desha të them se nganjëherë vetëm disa gjeste fare të vogla, të bëra me shumë dashuri, i japin tjetrit paqe e gëzim.
Njerëzit mund të jenë të bardhë, të verdhë a të zinj, të rinj a pleq, të pasur a të varfër.
Por ju siguroj se të gjithë janë të njëllojtë.
E që të gjithë kanë shumë, shumë nevojë për një dorë të ngrohtë në orën e provës".







All the contents on this site are copyrighted ©.