Benedikti XVI: ‘Jo’ tundimit që çon në lindjen e racizmave të reja.
(18.08.2008 RV)Para thirrjes për
Gjeorgjinë, duke pasur parasysh leximet e Liturgjisë të së dielës, Papa theksoi se
Fjala e Zotit na jep ‘mundësinë të reflektojmë për universalitetin e misionit të
Kishës, që përfshin njerëz të të gjitha racave e kulturave: “Pikërisht prej
këndej buron përgjegjësia e madhe e bashkësisë kishtare, e cila është e thirrur të
jetë shtëpi mikpritëse për të gjithë, shenjë e mjet bashkimi për mbarë familjen njerëzore”. E
këtë vetëdije duhet ta thellojnë të gjitha bashkësitë e krishtera, në mënyrë që ta
ndihmojnë edhe shoqërinë për të kapërcyer çdo tundim të mundshëm racizmi, intolerance
dhe flakjeje jashtë radhëve të saj, si dhe të organizohet, duke respektuar dinjitetin
e çdo njeriu. Një nga fitoret më të mëdha të njerëzimit – vijoi Papa – është pikërisht
kapërcimi i racizmit; “Por, për fat të keq, në vende të ndryshme vërehen akoma
disa shfaqje shqetësuese të tij, lidhur shpesh me probleme shoqërore dhe ekonomike,
të cilat megjithatë nuk mund ta përligjin përbuzjen dhe diskriminimin racor. Lutemi
që kudo të rritet respekti për çdo njeri, së bashku me vetëdijen se vetëm përmes mirëpritjes
reciproke të të gjithëve, mund të ndërtohet një botë, ku mbretërojnë drejtësia e paqja
e vërtetë”.