Ati i Shenjtë:“E padenjë vdekja në aksidente rrugore”.
(18.08.2008 RV)Në lutjen e Engjëllit
të Tënzot Papa foli edhe për aksidentet e shumta rrugore, që shtohen edhe më tepër
gjatë periudhës së verës. Nuk duhet të mësohemi me këtë realitet të trishtuar – theksoi
Ati i Shenjtë - duke kujtuar, në vijim, se jeta është pasuri tepër e çmuar dhe se
nuk është e denjë për njeriun të vdesë ose të mbetet i gjymtuar për shkaqe të cilat,
në shumicën e rasteve, mund të shmangeshin: “Duhet sigurisht më shumë ndjenjë
përgjegjësie. Para së gjithash, nga ana e automobilistëve, sepse aksidentet, në shumicën
e rasteve, vijnë nga shpejtësia e tepruar dhe nga sjelljet e pakujdesshme. Udhëtimi
me automjet në rrugët publike kërkon një ndjenjë të lartë morale e qytetare”. Për
edukimin e kësaj ndjenje, vërejti Ati i Shenjtë – është e domosdoshme veprimtaria
e përhershme e parandalimit, vigjilenca dhe respektimi i masave të nevojshme nga ana
autoriteteve të caktuara”. Si Kishë – reflektoi Papa – ndjehemi fuqimisht përgjegjës
në planin etik: të krishterët duhet të bëjnë rrëmimin e ndërgjegjes personale lidhur
me sjelljen e tyre kur janë në timon. Më pas Benedikti XVI kujtoi me emocion të
thellë figurën e ipeshkvit të Bolxano-Bresanones, imzot Vilhelm Eger. U nda vetëm
pak ditë më parë nga Ipeshkvi, që vdiq papritmas dje nga infarkti. Kujtojmë se gjatë
pushimeve të kësaj vere, Papa ishte mysafir pikërisht në dioqezën e imzot Eger, të
cilin dje e quajti ‘shërbëtor të mirë e besnik të Zotit’.