Proçesjoni i shna Rrokut në Shirokë dhe aromat e së kaluemes
(16.08.2008 RV)Herën e parë mbas ndalimit të fesë me ligjet ateiste, proçesjoni
i shën Rrokut apo shna Rrokut, si i thotë populli, në Shirokë, u ba me 16 gusht 1990.
Nuk e di a ka qenë aty atë ditë ndonji fotograf amator me e kapë skenën e rrallë.
Nji grup i vogël zadrimoresh me kostumet karakteristike ku spikatë e kuqja dhe e bardha
i ngjiteshin zbathë shtegut të Taraboshit, me ta edhe pak shirokas e shkodranë, mes
tyne mjaft të ri e të reja. Ushtarët e kufinit, pjesa ma e madhe prej jugut, shihshin
si të ngrimë e me gojë hapë prej molos, ku ishte lidhë e ashtuquejtuna «anije luftarake»,
rreshtin e madh të njerzve që iu ngjiste malit kambëzbathë tue thanë uratë e tue këndue
kangë të moçme fetare. Nuk kishin faj ushtarët e shkretë, edhe mbas 45 vitesh regjim
komunist, iu dukte vetja se po kryejshin shërbimin ushtarak në nji shtet të huej.
Anija e tyne “luftarake” kishte 40 vjet aty, e gatshme me luftue të gjithë ata që
donin me ikë prej parrizit komunist në ferrin e tmerrshëm kapitalist. Festa e shën
Rrokut asht nji festë fetare që kremtohet në Shirokë prej shekujsh. Katolikët
në të gjithë botën e nderojnë shën Rrokut. Ai asht shenjti të cilit i kushtohen ma
shumë kisha e kapela se asnji tjetri. Ka qenë laik, francez, e ka lindë në Montpellier
(Francë) në nji familje fisnike rreth vitit 1348 e ka vdekë në Voghera të Italisë
rreth vitit 1379. Biografët e tij të hershëm tregojnë se mbas vdekjes së prindve
ai u shpërndau pasuninë që kishte të vorfënve dhe u nis si shtegtar drejt Romës. Rrugës
për në Romë ai mbërriti me shërue të gjithë të sëmurët me murtajë të zezë. Asokohe
murtaja e zezë kishte mbytë nji të tretën e popullsisë së Europës. Legjenda tregon
se shën Rroku ka qenë edhe në Shqipni, në Shirokë, e këtu asht ruejt deri vonë nji
mand i cili rridhte prej pemës që vetë shenjti, simbas rrëfimit legjendar, kishte
mbjellë dikur! Mungojnë të dhanat historike për këtë vizitë të tijën, bile ato që
kemi e përjashtojnë nji gja të tillë. Por asht fakt që nji shenjt i tillë që mbronte
popullsinë e gjysmës së Europës prej sëmundjeve të randa virale të nderohej edhe tek
ne. Në Shirokë, shkruente studjuesi Gjush Sheldija tek «Hylli i Dritës» i vitit
1942 (fq. 335 v.) si katolikët ashtu edhe myslimanët e lusin shën Rrokun me 16 të
muejit gusht. Shkruen Sheldija: “Kremtja lutet kështu: disa dit’ përpara së kremtes
djelmnija e fshatit mblidhen n’e dielle mbasdreke e ndreqin e ujdisin rrugën e Shna
Rroku e cilla permbledhë e perfshinë mbarë katundin, për t’a pregatitë për proçesjon. Natën
e së kremtes: mjesá miqasija rrajen, për uj – me sule, take, e lundra – e tesh vonë
me motorra, e për tokë me kambë ase me karroca e automjete, kryhen zbukurimet e kishës
e lulëzimi i katundit me flamuj, dritëza e blerime. Shpijat shëndrisin prej pastrije
e punët për të pritë miqasín vazhdojn me rritën mâ të dendun. Kumbona, për çeljen
e ndjesës, bjé qysh n’oren tre mbas dreke, e fetarët, nji mbas nji, i siellen kishës
tri herë rresht, për të fitue ndjesën. Në të resitun të kumbonës – mbas tri herë tingllimi
– të gjith mblidhen në Kishë, ku mbas nji predku të shkurtë, mbajtë prej nji prifti
“mysafir” nepet bekimi me të “Shejtnueshmin Sakramend”. Mbas bekimit të gjithë – përveç
grave – dalin në “Fushë” me grishë e me marrë miqt e të njoftunit qi kanë ardhë për
të kremte. Raki, meze, urime, eheng. Gjella: sallatë kastravecash, mish jahni,
peshk (qefullë në tavë), qefullë në tjegullë, pilaf, jeprak, stufá, bakllavë asè tespigje
asè kadaif; mbrapa pêmë si fiq, bastan, e për pije: vênë të vjetër e mbrapa duhan
e kafe – shumta – e idhët. [...] Gjithënatën «Fusha» vlon prej festarvet t’ardhun
për kremten e Shna Rrokut qi âsht pothuejse nji kremte panagjirike. Zakon e kanë shirokasit
natën e kremtes me u futë nd’ujë e me u lá në liqê per të lá të ligat e edhe ata qi
s’dijnë mënot, futen nd’ujë: djelm, varza, trima, pleq e plaka lahën. Dita e së
Kremtes: mbassi kumbonët e të lémit asè sá del “shefku i dritës” të gjithë – me rradhë
– vrapojnë me shkue në kishë me pa meshë e me krye detyrët fetare. Kisha asht
e lulëzueme e e zbukurueme mâ së mirit; meshtarët janë të shumtë e meshët po të shumta.
Kah ora 9 p. dr. xen fill proçesjoni i Shna Rrokut; prîn sakrestani me kumbonë në
dorë, «daulla» asè muzika ardhë prej Shkodre, varzat e djelmt e shkollave e msuest
respektivë; mandej «Confraternitat» e ndryshme fetare, prifti i 3 ndaljevet, populli
shirokas e i ardhun”. (fq. 335-336) Mandej shkrimtari Gjush Sheldija përshkruen
proçesionin e tri ndalesat e tre predikimet. E para ndalesë bahet në lagjen Ndrecej,
e dyta te Mandi i Shna Rrokut dhe e treta te Plepi i Pusit e prej aty njerzit shkojnë
në kishë ku celebrohet mesha në oborr të kishës ku asht vendue edhe elteri. E vijon
Autori: “Mbas meshës, të gjithë dalin me miqt e tyne e fill tu shpija. Në «Fushë»
kerset kanga e vallja , e pik-niku asht në kulm! Mbas buke vizita ndër miq e të njoftun,
e me marr «pêjt» qi natën asè në nadje kanë vendue rreth qafës së Shêjtit, qi i bárin
si «amulet» kundra sëmundjevet, mbassi Shna Rroku âsht «Mbrojtësi i të ligavet». Ditën
e festës në mbramje, shirokasit mblidhen e kremtojnë «vllaznisht» festën e tyne me
pije, eheng, kângë e valle. Kjo vazhdon edhe të nesërmen qi thirret «Ditori i Shna
Rrokut». Kta kishte me kenë «festimi i vertetë» i së kremtes prej shirokasvet. Kanë
nji vllaznim ndërshêj dy besimesh aq të ngushtë sá me i dhanë msim shumkuj!” (shih
HD, 1942, fq. 336). Shna Rroku asht edhe sot nji festë fetare popullore në katundin
e vogël bri liqenit të Shkodrës. E me mendue se prej nji katundi kaq të vogël
si Shiroka, që ka pasë shkollën e vet shqipe të themelueme qysh në vjetin 1874 prej
priftit dom Zef Ashta, ka dalë poeti Filip Shiroka, shkrimtari Ernest Koliqi, përkthyesi
e studjuesi At Mark Harapi, shkrimtari e pedagogu At Anton Harapi, martiri imzot Gjergj
Volaj, filologu At Viktor Volaj, ushtarakët Mark Raka, Filip Toma, Kol Radovani, e
në fund edhe demokrati e dëshmitari i qëndresës antikomuniste Pjetër Arbnori e shumë
të tjerë që kanë dhanë kontribute në fusha të ndryshme të jetës. Ende sot, për
çdo 16 gusht, aromat e sherbelës e të mrinave përzihen me jonet e kangës së famshme
të Shna Rrokut që kumbon mbi liqen: «Amanet Shêjti Shna Rrok / lutju ti të madhit
Zot / që t’na bajnë mëshirë mbi né / e t’na mbajnë në shêjten Fé». Këndojnë njerzit
e thjeshtë, me besim e devocion, tue kujtue të parët e tue mendue për nji t’nesërme
ma të mirë! Ardian Ndreca