2008-08-16 12:29:20

Më 16 gusht kalendari Kishtar përkujton Shën Rrokun


(16.08.2008 RV)Sapo shqiptohet emri i Shenjtit, në përfytyrimin tonë lind figura e tij, me veshjen e shtegtarit, me qenin pranë, me dorën e shtrirë, në të cilën shtrëngon një bukë. Shtatoret e tij frymëzohen pikërisht nga një çast i jetës së shenjtit, kur u sëmur nga kolera dhe u detyrua të strehohej në një kasolle. Do të kishte vdekur nga uria, sikur një qen rrugësh të mos i kishte sjellur çdo ditë një bukë e sikur nga toka ku ishte shtrirë i vetmuar e i braktisur, të mos kishte shpërthyer një gurrë e mrekullueshme uji, ku shuante etjen. Në atë gjendje e gjeti patrici Gotardo Palastrelli, nga Piaçenza, i cili e mori në shtëpinë e tij, ku e mjekoi derisa u shërua plotësisht. Si u largua nga Piaçenza, Rroku u drejtua nga veriu por, pranë Liqenit të Madh, në Angera, e ngatërruan me një spijun të kërkuar nga policia dhe e flakën në burg, ku e mbajtën për pesë vjet e ku edhe vdiq, i harruar nga të gjithë, më 1380.

Shenjti është posaçërisht i nderuar në Shqipërinë e Veriut e në Kosovë, ku shumë besimtarë mbajnë emrin e tij. Është pajtori i fshatit të peshkatarëve, Shirokës, buzë Liqenit të Shkodrës, ku sot u organizua procesioni tradicional me këngë të përshpirtshme rreth e qark Kishës së re, së cilës i shërbejnë rregulltarët orioninë.

Një kishë tjetër kushtuar Shëna Rrokut ndodhet në Kosovë, në fshatin Novoselë, ku gjithashtu sot u kremtua me përshpirtëri festa e Pajtorit. Të gjithë atyre që kanë marrë në pagëzim emrin Rrok - duke nisur nga kryeipeshkvi i Tiranë- Durrësit, gëzuar ditën e emrit!







All the contents on this site are copyrighted ©.