Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 20-të gjatë vitit kishtar ‘A’
(16.08.2008 RV)Ja përsëri në takimin
tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë
e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të Meshës Shenjte
të së dielës së 20-të gjatë vitit kishtar, ciklit të praë, sipas kalendarit liturgjik
të Kishës. Tema kryesore që trajtohet nga leximet biblike të kësaj së diele e në
mënyrë të posaçme nga Ungjilli, është përkatësia e popullit të Zotit. Kriteri i përkatësisë
së vërtetë në popullin e Zotit nuk është rraca apo zbatimi i jashtëm i urdhërimeve
e ligjeve Hyjnore, por feja e përvujtë dhe e patundur në Zotit, feja që shpien në
sjellje të ndershme, të drejtë, të mirë e të jetosh në përkim me vullnetin e Zotit
e në dritën e mësimeve të Tija Hyjnore. Pa kurrfarë diskrimini, të gjithë popujt janë
të thirrur prej Zotit të marrin pjesë në shpëtimin hyjnor e po kështu edhe vet Izraeli
do të shpëtohet nga përdëllimi i Hyjit sepse dhuratat e Zotit janë të patërheqshme. Vendimi
i marrë nga Kisha e parë për t’ia shpallur Ungjillin edhe paganëve, arsyetohet me
sjelljen dhe qëndrimin e vet Jezusit, sikur do të dëgjojmë më vonë në pjesën e Ungjillit
të kësaj së diele 8Mt 15,21-28). Jezusi e pranon gruan nga Kananeja e cila me një
fe të vërtetë i kërkon çlirimin e vajzës së saj nga pushtimi i djallit. Jezusi e lavdëron
fenë që nuk dorëzohet. Të frymëzuar nga i njëjti besim që pati gruaja kananease, ta
ripërtijmë edhe ne rrëfimin e fesë sonë në Krishtin Zot. Prioriteti i thirrjes
së Zotit drejtuar Izraelit nuk përjashton, por përfshinë edhe paganët. Cdo person,
çdo burrë, çdo grua që e pranon fenë e beson në Krishtit Zotit, mund të hyjë e të
jetë pjesë e popullit të Zotit. Qysh në Besëlidhjen e Vjetër, sikur dëshmon leximi
i parë i kësaj së diele, edhe të huajtë kishin mundësi të aderonin në fenë e Zotit
të Abrahamit. Mund ta kuptojmë kështu mirë tregimin ungjillor të kësaj së diele, nëse
përkujtojmë se kananeanët ishin një popull i përbuzur prej izraelitëve; e Jezusi,
sikur thamë, e pranon kërkesën e gruas nga Kananeja bërë me fe të patundur. Leximi
i dytë i kësaj së diele na imponon të përkujtojmë fenë plotë entuziazëm të Palit në
Krishtin e, në të njëjtën kohë, dashurinë e sinqert për popullin e vet, i cili nuk
e njeh as nuk e pranon në Jezusin Mesinë: çfarë vuajtjesh për apostullin për këtë
fakt! Ungjilli na tregon për Jezusin që shkon në krahinat e Tirit e të Sidonit: me
këtë gjest Ai tejkalon kufijt zyrtar të Izraelit, duke dëftuar në mënyrë të qartë
se në Zotin nuk ka kufij. Në të vërtetë, është njeriu, që i vë kufijt; është njeriu
ai që refuzon; është njeriu ai që bën ndarje: Zoti përkundrazi bashkon, Zoti kërkon,
Zoti vendos paqe. Pra, Ungjilli i kësaj së diele na fton të mbështetemi krejtësisht
në mirësinë e Zotit e të lejojmë Hirin Hyjnor të veprojë në zemrën e shpirtin tonë
në jetën e përditshme. E tani ti dëgjojmë leximet biblike dhe komentin……