‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ na kujton se dashuria, në dukje ligështi e Hyjit,
fiton mbi pushtetin e egoizmit absolut, të terrorit e të dhunës .
(15.08.2008 RV)“E gjithë historia është luftë ndërmjet dy dashurive: dashurisë
së Zotit deri në dhurimin e plotë të vetvetes e dashurisë për vetveten, deri në përbuzjen
e Zotit, deri në urrejtjen për të tjerët” - shkruan Shën Agostini. E festa e sotme
na fton të kemi besim, sepse dashuria, që duket si ligështi e Zotit, në fund të fundit
ngadhënjen mbi atë që duket si pushtet absolut i urrejtjes e i dhunës. Duke shfletuar
Ungjillin, sot ndalemi tek fragmenti i Zbulesës së Shën Gjonit, në të cilin spikasin
dy figura: ajo e gruas së veshur me diell, simbol i dashurisë së Hyjit e ajo e dragoit
të kuq vigan, simbol i dashurisë për vetveten. Me figurën e kuçedrës Shën Gjoni
simbolizoi pushtetin e perandorëve romakë antikristianë, që nga Neroni te Domiciani:
pushtet që dukej i pakufizuar, pushtet ushtarak, ekonomik, politik, propagandistik. Përballë
këtij pushteti feja, Kisha, dukej si një grua e pambrojtur, pa kurrafrë mundësie për
të shpëtuar e aq më pak, për të fituar: e kush mund t’i kundërvihej një pushteti të
tillë të gjithpranishëm, që dukej se mund të bënte gjithçka? E megjithatë e dimë se
fitoi gruaja e pambrojtur, nuk fitoi egoizmi, as urrejtja; fitoi dashuria e Hyjit
e Perandoria romake ia hapi dyert fesë së krishterë. Dragoi pra, simbolizon pushtetin
e egoizmit absolut, të terrorit, të dhunës. Përfaqëson diktaturat antikristiane të
të gjitha kohërave, si nazizmi e stalinizmi, në shekullin e kaluar. Dukej e pamundur
që feja të mbijetonte: por edhe këtu, në fund të fundit, dashuria ngadhënjeu mbi urrejtjen.
Por dragoi nuk është mposhtur ende plotësisht: vijon të ekzistojë në forma të reja. Ekziston
në format e ideologjive materialiste, që na thonë se është absurde të mendosh për
Hyjin, është absurditet t’u bindesh dhjetë urdhërimeve të TënZot; na thonë se është
diçka e vjetruar, që i përket një kohe të shkuar e se ajo që vlen, është ta jetosh
jetën për vete, se vlen vetëm konsumi, egoizmi, dëfrimi… E përsëri të duket absurde,
e pamundur t’i kundërvihesh një mendësie të tillë, që sundon me gjithë forcën e saj
mediatike, propagandistike. Duket e pamundur sot të mendosh për një Hyj që krijoi
njeriun e që u bë fëmijë e se ky fëmijë do të ishte sundimtari i vërtetë. Edhe sot
dragoi duket i pathyeshëm, por edhe sot Hyji është më i fortë se dragoi e është dashuria
ajo që fiton, jo egoizimi. Fiton Gruaja e veshur me diell, sepse jeton në dritën
e Hyjit, e ka hënën nën këmbë, sepse e ka lënë pas vetes vdekjen. E na thotë “Guxim!
Në fund fiton dashuria! Guxoni të jetoni kështu, pa u frikësuar nga kërcënimet e dragoit. Gruaja
nxjerr në dritë foshnjën me dhimbje: simbol i Kishës shtegtare në të gjitha kohërat:
në të gjitha breznitë duhet ta lindë përsëri Krishtin, ta sjellë në botë Krishtin
me dhimbje të madhe në gjirin e këtij njerëzimi që vuan. Është Kishë e përndjekur
nga dragoi në të gjitha kohërat, por në të gjitha kohërat jeton në dritën e Hyjit.
E kështu në të gjitha mundimet Kisha, duke vuajtur, fiton e është garanci e pranisë
së dashurisë së Hyjit kundër të gjitha ideologjive të urrejtjes e të egoizmit. E dragoi
edhe sot dëshiron ta përpijë Hyjin e bërë foshnje: ‘mos mendoni për këtë Hyj, i ka
kaluar koha!’ – na thonë – por edhe sot ky Hyj i ligësht, është i fortë, është forca
e vërtetë. E kështu festa e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ na fton të kemi besim
e shpresë. Është ftesë për të pasur besim në Hyjin, ftesë për t’i përngjarë Marisë,
ashtu siç ka thënë Ajo vetë: jam shërbëtorja e TënZot, jam në dorë të Zotit. Të ecim
në rrugën e saj. Të japim jetë e jo të marrim jetë. E pikërisht kështu jemi në rrugën
e dashurisë, që do të thotë ta humbasësh vetveten e që, megjithatë, është e vetmja
rrugë në të cilën duhet të ecim, për ta gjetur vërtetë vetveten, për të gjetur jetën
e vërtetë. Atëherë mund të themi me plot gojën se festa e ‘Të ngjiturit të Zojës
në Qiell’ është festa e gëzimit. Hyji fiton! Feja, në dukje e ligësht, është forca
e vërtetë e botës. Dashuria është më e fortë se urrejtja! Festa e ‘Të ngjiturit
të Zojës në Qiell’ bazohet në Shkrimin Shenjt, që na e paraqet Virgjërën të bashkuar
fort me Jezusin në luftën kundër armikut djallëzor, deri në fitoren e plotë mbi të.
Është fitore që gjen shprehjen e vet kryesisht në kapërcimin e mëkatit e të vdekjes.
E prandaj Maria, solidare me Jezusin edhe në ngjallje, u ruajt nga kalbja në varr,
për t’u ngjitur me shpirt e korp në lumturinë e Qiellit - siç pohoi Piu XII, duke
shpallur, më 1 nëntor 1950, Dogmën e të ngjiturit të Zojës në Qiell, në Kushtetutën
apostolike “Munificentissimus Deus”. Duke u ngjitur në Qiell Maria nuk u largua nga
ne, e kemi edhe më pranë e drita e saj ndriçon jetën tonë e historinë e mbarë njerëzimit. Të
tërhequr nga shkëlqimi qiellor i Nënës së Shëlbuesit, t’i drejtohemi me besim asaj,
që nga lart na sheh e na mbron. Të gjithë kemi nevojë për ndihmën e saj e për ngushëllimin
e saj, për të përballuar provat e sfidat e përditshme: kemi nevojë ta ndjejmë pranë
si nënë e si motër në çdo çast të jetës sonë. E që të mund të kemi një ditë edhe ne
përgjithmonë të njëjtin fat, t’i ngjasim tani, duke ecur në rrugën e Krishtit e të
shërbimit bujar ndaj vëllezërve. Kjo është e vetmja mënyrë për ta parashijuar, në
sa jemi akoma në shtegtimin tonë tokësor, gëzimin e paqen që e jeton plotësisht kush
arrin në cakun e pamort të Parrizit”.