2008-08-15 17:59:33

Papa në Meshën e të Ngjiturit të Zojës në qiell: “Ashtu si Maria, të krishterët duhet të jenë shenjë shprese e ngushëllimi në botë".


(15.08.2008 RV)RealAudioMP3 Përballë shfaqjes së trishtuar të gjithë këtij gëzimi të rremë e njëkohësisht të gjithë kësaj dhimbjeje plot ankth, që vërshon mbi botën, duhet të mësojmë nga Virgjëra Mari për t’u bërë shenja shprese e ngushëllimi e për ta kumtuar, me jetën tonë, ngjalljen e Krishtit! Me këto fjalë e përfundoi Benedikti XVI homelinë e Meshës Shenjte, kryesuar sot paradite në famullinë e Shën Tomës nga Vilanova, në Kastel Gandolfo, në Solemnitetin e të Ngjiturit të Zojës në Qiell.
Festa e sotme – tha Papa - na nxit të ngjitemi bashkë me Marinë në lartësitë e Shpirtit Shenjt, ku thithet ajri i pastër i jetës së mbinatyrshme e kundrohet bukuria më e vërtetë, që është shenjtëria.
Të ngjiturit e Marisë me korp e me shpirt në qiell – kujtoi Ati i Shenjtë – është ngjarje e pashembullt dhe e jashtëzakonshme, që e mbush me shpresë e me lumturi zemrën e çdo njeriu. Kështu Zoja e Bekuar bëhet shenjë shprese e ngushëllimi:
“Kjo festë na nxit t’i lartojmë sytë drejt qiellit; një qielli që nuk është i bërë nga ide abstrakte, e as një qielli imagjinar, krijuar nga arti, por qiellit të realitetit të vërtetë të Hyjit. Hyji është qielli, Hyji është caku nga vijmë e ku dëshirojmë të shkojmë”.
Kur Maria ra në gjumë në këtë botë, për t’u zgjuar në qiell – shpjegoi Papa – s’bëri tjetër, veçse ndoqi për herë të fundit Birin e vet, Jezusin, në shtegtimin e tij më të gjatë e përfundimtar:
“Si Ai, e së bashku me Të, u nis nga kjo botë, për t’u kthyer në shtëpinë e Atit. E gjithë kjo nuk është larg nga ne, siç duket në çastin e parë, sepse të gjithë jemi bij të Hyjit, të gjithë jemi vëllezër të Jezusit e të gjithë jemi edhe bij të Marisë, Nënës sonë. E të gjithë priremi drejt lumturisë. E lumturia, që të gjithë e dëshirojmë, është Hyji, kështu të gjithë jemi në shtegtim drejt kësaj lumturie, të cilën e quajmë qiell e që është Hyji”.
I lutem Marisë – vijoi Ati i Shenjtë – të na ndihmojë që çdo hap i jetës sonë të jetë një hap para në shtegtimim drejt Hyjit, drejt këtij shndërrimi që ka të bëjë me çdo njeri e me mbarë gjithësinë:
“Ajo, nga e cila Zoti u mishërua, me shpirtin e shporuar nga shpata mbi Kalvar, qe e para që provoi misterin e këtij shndërrimi, drejt të cilit shkojmë të gjithë, edhe ne shpesh herë të shporuar nga shpatat e vuajtjeve të kësaj bote. Eva e re ndoqi pas Adamin e ri në vuajtje, në mundime e edhe në gëzimin përfundimtar. Krishti është fryti i parë, por korpi i tij i ngjallur nuk mund të ndahet nga ai i Nënës së Tij tokësore, Marisë, e në Të, gjithë njerëzimi përfshihet në Ngjitjen drejt Hyjit”.
Është një shndërrim në të cilin përfshihet mbarë gjithësia, sepse do të lindë një qiell i ri e një tokë e re, në të cilën nuk do të ketë më lot, as vaj e as vdekje.
“Ç’mister i madh dashurie na ripropozohet sot për kundrim! Krishti fitoi mbi vdekjen me gjithëpushtetin e dashurisë. Vetëm dashuria është e gjithëpushtetshme e të bën të hysh në mbretërinë e jetës. Maria hyri atje pas të Birit, e shoqëruar nga lumnia e Saj, pasi qe shporuar nga mundimet, duke lënë pas udhën e hapur për të gjithë ne. E prandaj sot e quajmë ‘Porta e qiellit’, ‘Mbretëresha e Engjëjve’ e ‘Streha e mëkatnorëve’. Sigurisht nuk janë gjykimet – tha Papa – që na bëjnë t’i kuptojmë këto realite tejet të larta, por feja e thjeshtë, e kulluar dhe heshtja e lutjes, që është shumë më e fuqishme se ne vetë e që na ndihmon të flasim drejtpëdrejtë me Zotin”.
T’i lutemi Marisë – ftoi Ati i Shenjtë – të na japë dhuratën e fesë, asaj feje që të bën të jetosh që tani në përmasën ndërmjet sosjes së jetës e jetës së pasosur, asaj feje që shndërron edhe ndjenjën e kohës:
“Duke parë Zojën e Ngjitur në Qiell, e kuptojmë më mirë se jeta jonë e përditshme, ndonëse plot me prova e vështirësi, rrjedh si lumë drejt oqeanit hyjnor, drejt gëzimit e paqes së përkryer. Kuptojmë se vdekja jonë nuk është fundi, por hyrja në jetën që nuk njeh mort. Perëndimi ynë në horizontin e kësaj bote, është agim në botën e re, në ditën e amshuar”.
Në përfundim Ati i Shenjtë iu lut Marisë të na shoqërojë në mundimin e jetës sonë të përditshme e të vdekjes sonë, duke na ndihmuar të drejtohemi gjithnjë drejt atdheut të lumnive.
“Përballë shfaqjes së trishtuar të gjithë këtij gëzimi të rremë e njëkohësisht, të gjithë kësaj dhimbjeje të ankthshme, që vërshon mbi botën, duhet të mësojmë nga Virgjëra Mari për t’u bërë shenjë shprese e ngushëllimi e për ta kumtuar me jetën tonë, ngjalljen e Krishtit”.

 
Më pas, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se “ nga Parajsa, Zoja e Bekuar vijon t’i ndihmojë bijtë, që ia besoi Jezusi, para se të vdiste në kryq, posaçërisht në çastet e vështira të provës:
“Sa dëshmi të kësaj mbrojtjeje amtare vërtetohen duke vizituar Shenjtëroret që i kushtohen Asaj! Mendoj këtë çast posaçërisht për qytezën e veçantë botërore të jetës e të shpresës, për Lurdën ku, në dashtë Zoti, do të shkoj pas një muaji, për të kremtuar 150- vjetorin e dukjeve mariane që ndodhen këtu”.
Zoja e ngjitur në qiell – tha në përfundim Papa – na tregon cakun e fundit të shtegtimit tonë tokësor:
“Na kujton se gjithë qenia jonë – shpirt e korp – është e paracaktuar për jetën e vërtetë; se kush jeton e vdes duke dashur Zotin e të afërmin, do të shndërrohet sipas shembëlltyrës së trupit të lumnuar të Krishtit të ngjallur; se Zoti i përul krenarët e i larton të përvujtit (cfr Lk. 1, 51-52). Këtë Zoja e Bekuar e shpall në amshim me misterin e të Ngjiturit të saj në Qiell. Qofsh e lavdëruar përgjithmonë e jetës, o Virgjëra Mari. Lute Zotin për ne!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.