2008-08-15 18:27:01

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Pierr Tusent: jeta shembullore e një parukieri njujorkez"


(15.08.2008 RV)RealAudioMP3 “Pierr Tusent është pa dyshim parukieri më i mirë i Nju Jorkut!”, mendon zonja Dirlënd, duke soditur veten në pasqyrë.
Krehja, që sapo ka bërë, një ujëvarë buklesh, shumë në modë në vitin 1815, është e përkryer. Zonja Dirlënd e vëren, pa rënë në sy, parukierin e saj. Është një zezak rreth të pesëdhjetave, që shquhet për mirësjelljen e tij të jashtëzakonshme. Zonja Dirlënd vdes nga dëshira për t’i bërë një pyetje. E në fund të fundit s’e përmban dot veten e merr guximin:
“Më falni në se po ju bëj një pyetje kaq delikate, por më kanë thënë se ju keni lindur skllav. Është e vërtetë, apo më kanë gënjyer?
Pierr qesh me të madhe.
“Mos u shqetësoni, Zonjë, pyetja juaj nuk më fyen fare. Është më se e vërtetë. Kam lindur skllav në ishullin e Santo Domingos, në Karaibe. Isha skllav i famijes Berard, që kishte një plantacion me kallam sheqeri. Shërbeja në shtëpinë e zotërisë e më trajtonin gjithnjë mirë. Më jepnin librat e tyre për t’i lexuar e më ndihmuan të bëhem i krishterë”.
“Atëherë, më fal, po nuk e kuptoj pse erdhët këtu! Pse ikët nga këta njerëz kaq të sjellshëm?”.
“Oh, jo, nuk ika. E adhuroja familjen Berard, e edhe ishullin tim plot diell. Po ju ndoshta keni dëgjuar të flitet për kryengritjen e skllevërve që shpërtheu në Santo Domingo, njëkohësisht me Revolucionin francez. E po ja, isha vetëm njëzet e një vjeç asokohe. Familja Berard vendosi të strehohej në Nju Jork, në pritje që situata të qetësohej e më mori me vete, së bashku me time motër, Rozalinë”.
“Po kjo revoltë ishte e tmerrshme!”.
“Pikërisht ashtu ishte. Gjon Berardi, që u rikthye për të shpëtuar plantacionin, vdiq nga dëshpërimi e nga sëmundja. E shoqja, Maria, ende krejt e re, mbeti në mes të katër rrugëve. Mësova mjeshtrinë e parukierit për të ndihmuar familjen. E për më tepër, desha të blija lirinë për time motër, që donte të martohej”.
“Po ju, ju nuk dëshronit të ishi i lirë?”.
“Nuk kisha ngut. Më parë duhet të mendoja për Rozalinë”.
“U martua më në fund?”.
“Po, por i shoqi e la, kur ishte shtatzënë e edhe ajo vdiq, pasi lindi një vajzë”.
“Ç’telashe! E vajza, ç’u bë?”.
“Zoti është i mirë e mendon për të gjithë. Unë e ime shoqe, Xhulieta, e bëmë me kënaqësi të madhe Eufeminë bijë në shpirt. E, faleminderës Zotit, pak më vonë familja Berard ma dha edhe mua lirinë”.“Ju jeni shenjt, zoti Tusent. E ky nuk është vetëm mendimi im, por i të gjithë klientëve. Keni kaluar një jetë të vështirë, e megjithatë vijoni të falënderoni Zotin. Feja juaj e gëzimi juaj janë një mësim i vërtetë për ne të gjithë!”.1

1
Më 1996 Papa Gjon Pali II e shpalli Pierre Tusent ‘Venerable”, këmba e parë e shkallës drejt shenjtërisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.