2008-08-14 18:12:16

Me Nënë Terezën : “Sëmundja më e rëndë”.


(14.08.2008 RV)RealAudioMP3 Shumë sëmundje të rënda vijojnë ta tmerrojnë njerëzimin edhe sot, kur shkenca sulmon drejt kulmesh, pa respektuar asnjë kufi. Por ndërmjet tyre, njëra është më rënda - na kujton e Lumja e parë shqiptare, që jetoi gjithnjë mes sëmundjesh, pranë të sëmurëve, në Emisionin tonë të dymbëdhjetë të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, që bazohet tek libri ‘Jeta ime’. Nuk bëhet fjalë për sëmundjet tradicionale, si gërbula e tuberkulozi, që vijojnë ta brejnë njerëzimin, por për sëmundjet e reja të shekullit në të cilin jetojmë…

“Sëmundja më e rëndë e ditëve tona nuk është gërbula, as turberkulozi. Njeriu e ndjen veten të sëmurë, sepse i braktisur nga të gjithë, pa dashuri, pa mbrojtje.
Sëmundja më e rëndë është mugesa e dashurisë dhe e mëshirës, indiferenca e tmerrshme e të gjithëve për të gjithë e, në radhë të parë, për ata që janë viktima të shfrytëzimit, të korrupsionit, të mashtrimit, të varfërisë e të sëmundjes.
Nuk është vështirë të flasësh për varfërinë, kur e ke larg, e edhe ta harrosh menjëherë.
Sëmundja më e rëndë e kohës nuk është gërbula, tuberkulozi, as kanceri, por ndjenja e padurueshme e vetmisë, që e bën njeriun ta ndjejë veten të padëshirueshëm, e bën të harrojë ç’është gëzimi njerëzor, ç’është ndjenja njerëzore, ç’ do të thotë të duhesh e të duash.
Mendoj se situata të tilla i gjejmë edhe në familje, ku nuk mungojnë të mirat materiale.
Kudo ndjehet fort uria e etja për dashuri, pikërisht sepse mungon dashuria.
E kjo e bën botën tepër të varfër.
Në vendet e botës perëndimore sot besohet se nuk ka uri të mirëfilltë.
Besohet edhe se nuk ekziston kjo vetmi e tmerrshme, nga e cila vuajnë shumë njerëz.
Në perëndim a në lindje qoftë, uria nuk duhet kuptuar thjeshtë si mungesë e bukës së përditshme.
Bota sot ka uri e uri të tmerrshme. Ka uri për Zotin e për dashurinë. Lakuriqësi nuk quhet vetëm mungesa e rrobave, por edhe mungesa e dinjitetit njërëzor, nga i cili i kemi zhveshur fare njerëzit e varfër, duke i trajtuar si të ishin qenie të kota, si hajdutë, si rrugaçë, që s’vlejnë dy para.
Ne nuk kemi nevojë për publicitet.
Zoti nuk bën publicitet kur e kryen veprën hyjnore.
Zoti ndjek rrugën e vet për ta bërë të njohur veprën e tij.
Shembulli nuk mungon: mjafton të kujtojmë si u pritën motrat tona në mbarë botën, ndonëse bota në fillim nuk i njihte fare.
U pritën mrekullisht mirë, deri në ato vende ku shumë njerëz të tjerë nuk e kanë të lehtë të punojnë e të jetojnë.Këtu unë shoh dorën e Zotit, i cili na dëshmon se kjo është vepra e Atij, që dëshrion ta shërojë njerëzmin nga sëmundjet e vjetra e të reja. Mjafton që njeriu të dojë….”.







All the contents on this site are copyrighted ©.