2008-08-14 18:12:48

Kriza në Kaukaz: Rusia mbështet zonat separatiste. Franca kërkon një rezolutë për respektimin e armëpushimit.


(14.08.2008 RV)RealAudioMP3 Diplomacia në punë për konsolidimin e paqes në Kaukaz: Franca u bën thirrje anëtarëve të tjerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kërkuar të adoptohet sa më shpejt që të jetë e mundur një rezolutë për të respektuar ndalimin e zjarrit. Presidenti rus, Dmitri Medvedev, deklaron se do të mbështesë çdo vendim mbi statusin e republikave separatiste gjeorgjiane të Abkhazisë e Osecies së Jugut. Ndërkaq të dyja e kanë pranuar planin francez të paqes. Shërbim i Gjuzepe D’Amato:RealAudioMP3

"Osecia e Jugut dhe Abkhazia i thanë ‘po’ planit francez. Sot paradite liderët e të dyja zonave separatiste gjeorgjiane, Kokojti e Bagapsh, pranuan në Kremlin propozimet e formuluara nga presidenti rus, Medvedev. Për statusin e tyre do të diskutohet në nivel ndërkombëtar. Disa ditë më parë Moska shprehu miratimin për një rrugëzgjidhje të ngjashme me atë të Kosovës, deri në realizimin e referendumit popullor. Ky interpretim nuk pranohet as nga Tbilizi e as nga Uashingtoni; sovraniteti dhe tërësia tokësore gjeorgjiane duhen respektuar.
Presidenti francez Sarkozi nuk e fsheh shqetësimin për këtë pikë, që mund të krijojë shumë probleme. Trupat ruse, ndërkaq – sipas Moskës - nisën të tërhiqen nga rrethinat e Gorit. Mbeten vetëm njësi speciale të çminimit dhe teknikë që duhet të çmontojnë e të sigurojnë arsenalin e hapur. Policia gjeorgjiane po nis kontrollin në qytetin e braktisur për shkak të përparimit të rusëve disa ditë më parë. Tbilisi akuzon se qyteti është plaçkitur nga grupe të parregullta kaukazianësh, ardhur nga veriu. Moska nuk pranon se është fajtore. Gjithsesi lufta informative vijon. Në Tskhinvali, kryeqendër e Osecies së Jugut, drita do të sigurohet pas një jave, ndërsa po punohet edhe për furnizimin me ujë. Dyqanet e bukës janë rihapur e po ashtu edhe televizoni. Së shpejti edhe telefonët nuk do të heshtin më. Në qytet janë 12 mijë civilë e ndihmat humanitare kanë arritur tashmë në vend".

RealAudioMP3 Konflikti në Kaukaz ka shkaktuar të paktën 90. 000 refugjatë, por numri i njerëzve që janë gati të ikin nga lufta në Gjeorgji, mund të arrijë së shpejti në 150. 000. Këtë njoftim për situatën humanitare e jep Komisioni Evropian. Kërkohen sidomos ushqime e veshmbathje. Thuhet se në Gori duhet të ketë filluar tërheqja e trupave ruse. Ndërsa, sipas dëshmitarëve që ndodhen në vend, tanket ruse hynë në Poti, port në Detin e Zi. Në Tbilis gjendja është mjaft e qetë. Na e përshkruan misionari kamilian në Gjeorgji, atë Pavel Dyl, në mikrofonin e Radio Vatikanit:
 
Përgjigje: - Sot për sot, gjendja është e qetë. Por nga fusha e betejës vijnë lajme të tmerrshme: flitet për mijëra të vdekur. Në Tbilis situata është e qetë, por njerëzit janë të trishtuar e gjithnjë në pritje të lajmeve, sepse shumë etër familjesh janë thirrur nën armë e shumë të rinj nuk dihet ku kanë përfunduar: e kjo sepse tani jemi përballë luftës së informacionit e prandaj, vështirë të kesh njoftime të sigurta…

 
Pyetje: - E ju, si e jetoni gjendjen e popullsisë gjeorgjiane?

 
Përgjigje: - Mund të them se njerëzit e sëmurë që asistojmë, handikapatët, janë shumë të tronditur. Nuk e marrin me mend ç’mund të kishte ndodhur në rast sulmi nga ana e rusëve. Kemi frikë për të ardhmen, sepse e dimë mirë që Gjeorgjia nuk është vend i pasur. Ne këtu ndihmojmë qindra të varfër. E tani numri i tyre do të rritet akoma.

 
Pyetje: - E përballë gjithë kësaj varfërie, megjithatë nuk mungon një prani e rëndësishme: prania juaj….

 
Përgjigje: - Është e vërtetë. Prandaj unë bëj çmos të jem gjithnjë pranë njerëzve. Mbeta këtu për t’u dhënë sadopak zemër të tjerëve; ne të gjithë bëjmë çmos t’i ndihmojmë. Ka edhe njerëz të tjerë vullnemirë, që na ndihmojnë të bëjmë gjithça mundim. E dimë edhe se tani do të vijnë shumë ndihma humanitare. E edhe para, që duhen shpenzuar me kujdes, duke qenë të vetëdijshëm se në këtë botë ka njerëz që bëjnë çmos të shfrytëzojnë edhe luftën, edhe fatkeqësinë e tjetrit, për të mbushur xhepat e tyre.

 
Pyetje: - Ju, Atë, a dëshironi të bëni thirrje për ndihma? Ç’i duhet më shumë në këtë çast Gjeorgjisë?

 
Përgjigje: - Dy gjëra: lutja, sepse duhet të falim, shumë, shumë, tani kur ka kaq shumë urrejtje, sepse ka edhe shumë viktima. Më parë lutja, falja, e pastaj gjërat materiale: në radhë të parë, ushqime e ilaçe. Duhet menduar për rindërtimin e gjiithçkaje.

 
RealAudioMP3 Pas fazës dramatike të konflikitit, ka ardhur ora për t’i paqëtuar erërat e acarta të luftës e për të mjekuar plagët e shkaktuara nga zjarri i armëve. Këtë nënvizon, në mikrofonin tonë, atë Gabriel Brigantini, misionar stigmatin, me telefon nga Kutaisi, qytet i rëndësishëm gjeorgjian - për numrin e popullsisë, menjëherë pas kryeqytetit:

 
Përgjigje: - Nuk është fjala për të ngritur zërin Evropa apo Amerika: situata e kësaj zone duhet parë me zemër në dorë. Në se bota do të bashkohej, jo për të ndihmuar njërën apo tjetrën palë, por për të mbrojtur paqen, për të mbrojtur vlerat e lirisë, vlerat e pavarësisë së një populli, besoj se situata do të ishte krejt ndryshe.

 
Pyetje: - Po dëgjojmë përsëri shprehjen ‘lufta e ftohtë’. Besoj se ju mendoni që kjo fjalë duhet arkivuar…

 
Përgjigje: - Pikërisht, ndonëse brenda kulturave ose mendësive të ndryshme, për fat të keq, janë gjithnjë popujt e vegjël ata që paguajë haraç për keqkuptimet. Keqkuptime të cilat vijojnë në mendësinë e popujve më të mëdhenj. Natyrisht disa rreziqe nuk janë zhdukur ende plotësisht.

 
Pyetje: - Atë Gabriel, të flasim tani për praninë e stigmatinëve në Gjeorgji: ç’ndihmesë mund të japë një meshtar, që gjindet në një vend në luftë?

 
Përgjigje: - Prania e meshtarit është gjithnjë shenjë shprese për njerëzit. Shenjë shprese, sepse mund t’u themi një fjalë, e cila ndryshon nga ato që dëgjojnë për ditë. E më duket se njerëzit na dëgjojnë me kënaqësi, na dëgjojnë, mblidhen së bashku e luten, në sa janë të tmerruar vetëm nga mendimi se këtu mund të hyjnë rusët. Të zhytyr në errësirë, sepse na mungon edhe drita, shpresojmë se do të na ndihmojnë të gjithë, do të na japin pakëz dritë, që të shohim qartë ç’po ndodh, ndonëse nganjëherë mund të jesh në errësirë, edhe kur nuk mungon drita elektrike, por drita e mendjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.