2008-08-13 18:09:55

Në audiencën e përgjithshme Benedikti XVI lutet për paqen në botë: “Kush lutet, nuk e humbet kurrë shpresën”.


(13.08.2008 RV)RealAudioMP3 Papa u lut për dhuratën e paqes në botë në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Kastel Gandolfo, takim tradicional javor me besimtarët, që u ndërpre pas 2 korrikut, për shkak të shtegtimit në Australi e pushimeve në Bresanone. Benedikti XVI i lartoi Zotit lutjen me ndërmjetësimin e Shën Maksimilian Kolbes, të cilin Kisha do ta përkujtojë nesër e duke ia besuar njerëzimin Virgjërës Mari, dy ditë para solemnitetit të Ngjitjes së Zojës në Qiell.
Në fillim të audiencës së përgjithshme, Benedikti XVI kujtoi pushimet e tij në Bresanone, prej nga u kthye të hënën e kaluar. “Ishin ditë të qeta prehjeje – tha Ati i Shenjtë – gjatë të cilave nuk pushova s’i kujtuari Zotit, ata që i besohen lutjeve të mia:
E janë vërtetë shumë ata që më shkruajnë, duke më kërkuar të lutem për ta. Më rrëfejnë gëzimet e tyre, por edhe shqetësimet; projektet e jetës, por edhe problemet në familje e në punë; ëndrrat e shpresat që ushqejnë në zemër, së bashku me ankthet, lidhur me paqartësitë në të cilat jeton në këtë çast njerëzimi. Mund t’i siguroj se i kujtoj të gjithë e secilin, posaçërisht në kremtimin e përditshëm të Meshës Shenjte e të Rruzares Shenjte”.
Benedikti XVI nënvizoi se, si mëkëmbës i Krishtit, ‘shërbimi i parë’ që duhet t’i bëjë Kishës e njerëzimit, është pikërisht ky i lutjes:
Kush lutet, nuk e humbet kurrë shpresën, edhe kur ndodhet në situata të vështira e deri në gjendje që, parë me syrin njerëzor, mund të duken pa asnjë rrugëdalje. Këtë na e mëson Shkrimi Shenjt e këtë e dëshmon edhe historia e Kishës. Mund të sjellim shumë shembuj, që flasin për situata në të cilat pikërisht lutja i mbështeti shenjtorët dhe popullin e krishterë në udhën e tyre të mundimshme”.
Ndërmjet dëshmive të epokës sonë, Papa kujtoi atë të Shën Tereza Benediktës së Kryqit, Edit Shtain, e të Shën Maksimilian Maria Kolbes, që Kisha do ta kujtojë nesër. Të dy e përfunduan me martirizim jetën e tyre tokësore në kampin e nazist të përqendrimit, në Aushvic:
Në dukje jetët tyre mund të konsiderohen një disfatë e vërtetë, por pikërisht në martirizimin e tyre shkëlqen drita e dashurisë, që mund errësirën e egoizmit e të urrejtjes. Njihen si të Maksimilian Kolbes fjalët e mëposhtme, që ai i tha në kulmin e tërbimit të persekutimit nazist: “Urrejtja nuk është forcë krijuese; krijuese është vetëm forca e dashurisë”’. E provë heroike e dashurisë ishte dhurimi bujar i vetvetes për shpëtimin e shokut të burgut, të cilit i zuri vendin në bunkerin e urisë, ku edhe do të vdiste më 14 gusht 1941”.
Edit Shtain – vijoi të kujtonte Papa – tri ditë para fundit të saj dramatik, duke biseduar me disa simotra të Kuvendit të Ehtit, në Holandë, u pati thënë: “Jam gati për gjithçka. Jezusi është edhe këtu, mes nesh. Deri tani kam mundur të lutem mrekullisht mirë e të them me gjithë zemër: “Ave, Crux, spes unica” – “Të falem Kryq, e vetmja shpresë”.
Dëshmitarët që munden të shpëtonin nga masakra e tmerrshme, tregojnë se Tereza Benedikta e Kryqit, ndërsa ecte e vetëdijshme drejt vdekjes, veshur zhgunin karmelitan, dallohej për qëndrimin e saj plot paqe, për qetësinë e për vëmendjen ndaj të gjithëve. Lutja ishte e fshehta e Shenjtores Pajtore të Evropës së cilës, edhe pasi iu kushtua plotësisht së vërtetës në paqen e jetës kundruese, iu desh ta jetojë deri në fund të fundit misterin e Kryqit” (Letra Apostolike ‘Spes ǽdificandi’; ‘Mësimet e Gjon Palit II’, XX, 2, 1999, fq. 511).
Papa iu lut Zotit për dhuratën e paqes në botë, përmes ndërmjetësimit të Maksimilian Kolbes e, në përshëndetjen drejtuar shtegtarëve polakë, nënvizoi se akti heroik i dashurisë dhe vdekja e martirit, do të jenë gjithnjë simbol i ngadhënjimit të pushtetit të Hyjit e të fisnikërisë së njeriut mbi pafundësinë e së keqes”:
“Të falem Mari!’, qe lutja e fundme në buzët e Shën Maksimilian Kolbes, ndërsa i shpërvilte krahun atij që e mbyste me një injeksion acidi fenik. Prekesh pa masë kur vëren se lutja e përvujtë e besimplote drejtuar Zojës së Bekuar, është gjithnjë burim i guximit e i paqes. Ndërsa përgatitemi të kremtojmë solemnitetin e të Ngjiuturit të Zojës së Bekuar në Qiell, një nga festat mariane më të dashura për traditën e krishterë, ia besojmë përsëri vetveten Asaj, që nga qielli vigjëlon me dashuri amtare mbi ne në çdo çast të jetës”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.