2008-08-13 18:14:59

Nxitja e Papës në Bekimin Apostolik për Festivalin Marian Ndërkombëtar, në Francë nga 14 deri më 18 gusht: “Ndiqni gjurmët e Marisë”.


(12.08.2008 RV)Ndiqini me guxim gjurmët e Marisë: është një nga pikat kryesore të Bekimit Apostolik të Papës për Festivalin Marian Ndërkombëtar, që do të mbahet në Parei-le-Monial, në Francë, nga 14 deri më 18 gushti i ardhshëm. Festivali organizohet nga shumë të rinj, themelues grupesh të lutjes e nga Bashkësia Emanuel.
Benedikti XVI i siguron të rinjtë se e ndjen veten shpirtërisht pranë të gjithë pjesëmarrësve të Festivalit Marian të Parej-le-Monial. E bën këtë, duke i drejtuar të gjithëve Bekimin Apostolik, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone.
“Virgjëra Mari – nënvizon Papa – me shtegtimin e fesë e të dashurisë mbi tokë, na dëfton me personin e Saj, fytyrën e Kishës, nuse e shërbëtore e Hyjit”. Ati i Shenjtë i fton të gjithë t’i kthejnë sytë nga Ajo që, në marshimin e popullit të Zotit drejt shenjtërisë, ishte e para në udhë. E para që mori kurorën e lumnisë së amshuar e që u ngjit në qiell me korp e me shpirt, me pushtetin e Hyjit.
Papa vijon të kujtojë se festa e të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell, e cila kremtohet pikërisht në ditët e festivalit, dëfton se ‘jeta e Asaj që nuk pati dëshirë tjetër, veçse të bënte vullnetin e Zotit, e çoi në jetën e vërtetë, pranë Birit”. Gruaja e veshur me diell – shkruan Benedikti XVI – është simbol i fitores së Hyjit”. Prandaj Papa i fton të rinjtë dhe të gjithë besimtarët të ndjekin me guxim gjurmët e Virgjërës, pa pasur dëshirë tjetër, veçse t’i dhurojnë vetveten Hyjit e të afërmit, që të mos mbeten kurrë të zhgënjyer.
Në përfundim të Bekimit Apostolik, Papa ia beson ndërmjetësimit të Virgjërës Mari pjesëmarrësit e organizatorët e Festivalit, priftërinjtë e rregulltarët që marrin pjesë në këto ditë urate e feje.







All the contents on this site are copyrighted ©.