2008-08-13 18:13:34

Nunci Apostolik Imzot Menini: plani i paqes mes Rusisë e Gjeorgjisë, një hap para


(13.08.2008 RV)Lidhemi me telefon me përfaqësuesin e Selisë së Shenjtë në Federatën Ruse, kryeipeshkvi Antonio Menini cili përgjigjet, nga Moska, në mikrofonin e Radio Vatikanit:RealAudioMP3
Pyetje: - Cilat janë aspektet për t’u nënvizuar në planin e paqes, propozuar nga Evropa?

 
Përgjigje: - Plani i paqes është një hap shumë domethënës përpara, sepse të dyja palët u morën vesh për dokumentin e hartuar bashkërisht nga presidenti Sarkozi dhe presidenti Medvediev. Ndërmjet gjashtë pikave, posaçërisht ajo që ka të bëjë me mospërdorimin e forcës, do të krijojë kushtet edhe për hyrjen e ndihmave humanitare, në mënyrë të qëndrueshme e afatgjatë. Pala gjeorgjane nguli këmbë të mos vihet fare në diskutim, për të ardhmen, statusi juridik i dy zonave separatiste; gjithsesi, në këtë çast, ky është problem i dorës së dytë. Ajo që ka rëndësi, është të heshtin armët e palët të ulen rreth tryezës së bisedimeve.

 
Pyetje: - Mund të themi se në frontin ushtrak të konfliktit fitoi Rusia, ndërsa në atë diplomatik, Bashkimi Evropian, që propozoi planin e paqes, të pranuar nga Moska e, pjesërisht, edhe nga Tbilizi; në këtë rast zëri i Brukselit u dëgjua…

 
Përgjigje: - Po, situata dëshmoi se përballë një farë heshtjeje të fuqive të tjera – pa dashur t’i përmend - Bashkimi Evropian mund të luajë një rol të rëndësishëm. Rol që, them se u pranua edhe nga Rusia.

 
Pyetje: - Shkelqësi, sipas jush konflikti që shpërtheu në Osecia mund të konsiderohet edhe si pasojë e drejtpëdrejtë e pavarësisë së njëanëshme të Kosovës?

 
Përgjigje: - E ceku dje presidenti Medvedjev. Por nuk besoj, siç thuhet, se Rusia dëshiron të luajë kartën e pavarësisë së dy republikave, sepse një gjë e tillë do të krijonte probleme jo vetëm në pjesët e tjera të botës, por edhe brenda Federatës Ruse.

 
Pyetje: - Cilat drejtpeshime duhen mbrojtur për të siguruar ardhmërinë e zonës kaukazike?
 
Përgjigje: - Dua të huaj disa fjalë, shkruar dje në Uashington Post nga ish-presidenit i Bashkimit Sovjetik, Mikail Gorbaçiov. Ish – kryetari i shtetit pohon se sigurisht, kur SHBA pohojnë se Kaukazi është një sferë influence jetike për interesat e tyre kombëtare, kjo pjesërisht është e vërtetë. Është e vërtetë për faktin se paqja në Kaukaz nuk mund të mos jetë në interes të të gjithëve; por – shton Gorbaçiovi – duhet pasur parasysh se Rusia, me më shumë arsye, ka interesa të ligjshme në zonë, interesa që rjedhin nga një histori e gjatë e përbashkët e këtyre popujve e, pastaj, edhe nga pozicioni gjeografik.

 
Pyetje: - Cili është kontributi që mund të japë Kisha për ruajtjen e paqes?

 
Përgjigje: - Mendoj se pikërisht, ashtu siç ka thënë Ati i Shenjtë, i cili bëri thirrje duke kujtuar rrënjët e përbashkëta të krishtera të popujve, para së gjithash duhet një aksion edukativ: duhet zhdukur ndjenja e dyshimit për gjithçka është e ndryshme në këndvështrimin kombëtar. Pastaj, së bashku edhe me katolikët, duhet promovuar veprimtaria humanitare. E di se drejtuesit tanë të Karitasit rus janë tashmë në vend e po verifikojnë, së bashku me drejtuesit e Kishës ortodokse, si t’i shpërndajnë ndihmat edhe nga pala katolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.