2008-08-13 18:14:18

Me Nënë Terezën : “Varfëria e shumicës e shpërdorimi i disave…!”.


(13.08.2008 RV)RealAudioMP3 Ka dy tipa varfërish - na kujton e Lumja e parë shqiptare, që e vuri gjithë jetën në shërbim të të varfërve. Në Emisionin tonë të njëmbëdhjetë të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, që bazohet tek libri ‘Jeta ime’, mësojmë se më i varfëri ndër të varfër është ai, të cilit i mungon dashuria, sepse në këtë botë ka varfëri materiale, por edhe shpirtërore. E kjo e fundit është më e padurueshmja. Mos harroni – na porosit Nënë Tereza - njeriu ka nevojë për dashuri, më shumë se për bukën e përditshme…
 
“Marrim gjithçka falas, e falas ndajmë gjithçka, për dashuri të Zotit.
Njerëzit tanë, të Varfërit, nuk janë fare pa gjë: ata kanë pasurinë më të çmuar: shpirtin e madh.
Janë ata që japin më shumë, më me gëzim sesa ne, duke i pranuar sendet e vogla që u dhurojmë.
Jeta jonë në varfëri është po aq e nevojshme, sa vetë puna jonë.
Zoti parashikon, e nuk harron kurrë të përkujdeset për bijtë e vet.
E kështu do të jetë përgjithmonë e jetës. Ndonëse nuk kemi të hyra, as rroga, as sigurime, as ndihmë kishtare, nuk ka ndodhur kurrë të mos e pranojmë, për mungesë mjetesh, njeriun që troket në portat tona.
Nuk e kam ndjerë kurrë veten në nevojë: megjithatë, e pranoj gjithnjë atë, që njerëzit ma japin për të varfërit.
Nuk kam nevojë për asgjë personale, por pranoj çdo dhuratë.
Duhet të ketë një farë arsyeje që disa kanë gjithçka u duhet, për të kaluar një jetë të rehatshme.
Ndoshta kanë fituar mjaft me punën e tyre, e prandaj nuk janë të varfër.
Apo ka edhe ndërmjet tyre të varfër?
Sepse ka dy tipa varfërish.
Në radhë të parë po kujtoj varfërinë materiale.
E këtë tip varfërie e prekim me dorë në vende si India, Etiopia ose vise të tjera, ku njerëzit vuajnë nga uria, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale.
Veç ekziston edhe një uri tjetër, që s’ka të bëjë me stomakun, por me shpirtin. Është uria për dashuri, uria për të mos e ndjerë veten të braktisur, të vetmuar, të përbuzur nga të gjithë!
Ka njerëz që mund t’i quajmë të përjashtuar nga radhët e shoqërisë. Që jetojnë e flejnë rrugëve të Londrës, të Parisit, të Romës, të Milanos, të Madridit, të Amsterdamit, të Tokios, të Nju Jorkut… që i takojmë të gjithë.
Nganjëherë të varfërit jetojnë edhe në shtëpitë e veta…
Si mund të ekzistojë gjithë kjo vetmi, kjo mungesë e plotë dashurie. Si mund të harrohet kështu njeriu, edhe në shtëpitë tona?
Ka shumë mundësi që të gjithë të njohim ndonjë, që jeton në këto kushte të tmerrshme, pa ngrohtësinë e ndjenjës më fisnike, me uri e etje të pashuar për pakëz dashuri!Mos harroni, njeriu ka nevojë për dashuri, më shumë se për bukën e përditshme. Ka etje për dashuri, më shumë se për ujin, pa të cilin nuk mund të jetohet!
Shuajani njeriut këtë uri e këtë etje… në emër të Krishtit!".







All the contents on this site are copyrighted ©.