2008-08-13 18:15:17

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.: "Elizabeta Seton, nga nënë familjeje, murgeshë".


(13.08.2008 RV)Ç’mikpritje! Këto gra të reja nuk mendonin se do të shkaktonin gjithë këtë pështjellim me arritjen e tyre. Të gjithë banorët e katundit, madje edhe kafshët, dolën t’i prisnin të sapoardhurat, që mbetën pa mend nga kjo pritje tipike fshatare.
Duke ecur në krye të grupit të vogël të grave, Nëna Seton është e kënaqur që zgjodhi këtë fshat të vogël të Marilandit, për të hapur shtëpinë e parë të Urdhërit të saj rregulltar. Gratë, që fshati i pret me kaq bujë, janë murgesha. E kjo është edhe arsyeja që nxiti kureshtjen e banorëve, të cilët dolën të gjithë në rrugë për t’i parë e për t’i pritur.
Elizabeta Seton vë buzën në gaz. Sa e largët i duket koha, kur shkëlqente ngarkuar me stoli, përkrah të shoqit, në mbrëmjet mondane të shoqërisë së lartë. Elizabeta nuk ka qenë gjithnjë murgeshë. Para se të hynte në kuvend, ishte gruaja e Uiljam Mazhè Seton, burrë i pasur, nga i cili pati pesë fëmijë. Elizabeta u martua në vitin 1794, sapo i kishte mbushur njëzet vjetët e ishte thellësisht e dashuruar: me të shoqin e me … Zotin. Edhe pse jeta bashkëshortore e bën të lume, me vështirësi arrin të pajtojë festat e bujshme të salloneve, me jetën e thellë shpirtërore. Gjithsesi kjo nuk e shkëput për asnjë çast nga roli i bashkëshortes së devoçme e nënës së përgjëruar për fëmijët e saj. Kur i shoqi falimenton, ajo e ndihmon me të gjitha forcat. Kur sëmuret rëndë, vuan bashkë me të dhe e shoqëron në Itali, për ta mjekuar. Por për fat të keq, më 1803 Uiljam vdes e Elizabeta mbetet e vejë, pa i mbushur ende njëzet e nëntë vjetët. Rikthehet në Shtetet e Bashkuara e, përmes besimit të patundur në Zotin, arrin ta rigjejë guximin për të rifilluar një jetë të re. Kur i propozojnë të hapë një shkollë katolike për vajza, e nis këtë veprimtari me entuziazëm të papërshkrueshëm. Duke vijuar të kujdeset për të bijtë, themelon shkollën e parë, harton programe mësimore e doracakë shkollorë, përgatit mësuesit e përkthen disa vepra fetare.
Shumë shpejt me Elizabetën bashkohen edhe gra të tjera, që dëshirojnë t’i shërbejnë Krishtit ndërmjet të varfërve. Nga çasti kur dy nga bijtë e saj – tre të tjerët i vdiqën ende të vegjël – janë tashmë të rritur, Elizabeta nis të mendojë për themelimin e një bashkësie. Shoqet e saj do të quhen ‘Bijat e Dashurisë’. Me to Nëna Seton do të themelojë një jetimore, pastaj një tjetër, një tjetër akoma…. Para se të vdesë, në moshën dyzet e gjashtë vjeçare, e rraskapitur nga dhurimi i pafundmë i vetvetes. Por vepra nuk shuhet, me vdekjen e themelueses. Sot Motrat e Dashurisë drejtojnë shkolla, azile, spitale, jetimore e qendra për strehimin e të pastrehëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.