2008-08-12 18:00:33

Rusia ndalon luftimet në Gjeorgji, por Tbilisi denoncon sulme të reja ruse. Së paku 100 mijë refugjatë në rajonin e përfshirë nga konflikti.


(12.08.2008 R V)RealAudioMP3 Presidenti rus Medvedev pas takimit të sotëm në Kremlin me ministrin e brendshëm Anatolij Serdjukov dhe shefin e shtabit të përgjithshëm Nikollaj Makarov, vendosi që të ndërpriten luftimet në Gjeorgji. “Qëllimi u arrit. Siguria e forcave tona paqëruajtëse dhe e popullisë vendase u rivendos.”deklaroi për shtypin presidenti rus. Ndërkaq burimet gjeorgjiane lajmërojnë se në Gori dhe disa fshatra bombardimet ruse vazhdojnë ende.
Nga ana tjetër, sot në Tbilisi afro 50 mijë qytetarë me flamuj bardhekuq manifestuan paqësisht kundër sulmeve ruse nën parullën “Jemi të bashkuar”. Gjatë manifestimit presidenti gjeorgjian Saakashvili deklaroi daljen e vendit të tij nga Bashkësia e Vendeve të Pavarura, organizatë në të cilën pas viteve ’90 nën udhëheqjen e Moskës, u mblodhën të gjitha republikat ish-sovjetike, me përjashtim të atyre balltike. “Po dalim me të vërtetë nga Bashkimi i Vendeve të Pavarura dhe i këshillojmë edhe vendet e tjera të veprojnë kështu e të largohen nga kjo organizatë e drejtuar nga Rusia.” tha presidenti gjeorgjian.
Po ashtu në një deklaratë tjetër presidenti Saakashvili tha se Osetia jugore dhe Abhazia janë tashmë zona të pushtuara nga Rusia; se trupave ruse do t’u tërheqë mandatin e paqëruajtësve dhe do t’u japë atë të pushtuesve
E ndërsa fronti në Osetinë jugore po bie në fashë, po ndizet ai në Abhazi. Forcat separiste filoruse po sulmojnë për të pushtuar grykat e Kodorit, një enklavë gjeorgjiane. Sot pasdite në Tbilisi arriti edhe presidenti francez Sarkozy i shoqëruar nga presidentë të pesë vendeve të tjera me qëllim ndërmjetësimin për paqë në emër të BE. Nesër ministrat e jashtëm të BE-ian do të dëgjojnë raportin e kolegut të tyre francez Bernard Kushner, i porsakthyer nga misioni i tij në Moskë dhe Tbilisi si edhe do të diskutojnë për një ndërhyrje të mundshme humanitare në zonat e luftimeve.
Veçanërisht të ashpër me Rusinë janë treguar amerikanët. Përgjigjen e Moskës ndaj Gjeorgjisë e kanë quajtur të shpërpjestuar. Vetë presidenti Bush një orë pas kthimit nga Kina, deklaroi se Rusia po sulmon një vend sovran me një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe se një gjë e tillë është e papranueshme në shekullin e XXI.
E ndërsa lufta dhe paqja janë një hap larg njëra-tjetër gjendja e të shpërngulurve nga konflikti i armatosur vijon të jetë dramatike. Sot Caritas-i italian bëri thirrje për armëpushim që të ndihmohen të dëmtuarit. Sipas komisariatit të lartë të OKB-së për refugjatët, të shpërngulurit në të dyja anët e kufirit arrijnë në rreth 100 mijë vetë.


Me 100 vota pro, pesë kundër dhe dy abstenime parlamenti libanez votoi për mirëbesimin e qeverisë së re të bashkimit kombëtar. Përfundimi pozitiv u arrit pas katër ditë diskutimesh të nxehta në lidhje me arsenalin ushtarak të partisë shiite hezbollah, e cila ka përfaqësuesit e saj në qeverinë filoperëndimore të kryeministrit Fuad Siniora.







All the contents on this site are copyrighted ©.