2008-08-12 18:16:58

365 ditë:"Fransua-Rëne dë Shatobrian: Gjeniu i krishterimit".


(12.08.2008 RV)RealAudioMP3 Revolucioni francez shfryn si ciklon mbi Kishën. Dhjetë vjet më vonë Kisha nuk është ende në gjendje të ngrihet përsëri në këmbë. Janë rrokullisur përdhe copa-copa deri këmbanat, që të mos kumbojnë më. Me kalimin e viteve, uragani është paqtuar. Duke nisur nga vitit 1795, francezët mund ta deklarojnë haptas fenë e tyre e Kishat mund t’i hapin përsëri portat të dielave.
Por besimtarët janë ende thellësisht të tronditur. Që para revolucionit, feja nuk ishte edhe aq në modë. Shkencëtarët e njerëzit e ditur deklaronin se ishin ateistë e jetonin sikur Zoti të mos ekzistonte fare. Në këto rrethana, në vitin 1799, kush do të ishte aq i çmendur, sa të vihej në mbrojtje të krishterimit?
Ky ‘i marrë’ quhet Fransua-Rëne dë Shatobrian e është vetëm tridhjetë e një vjeç. Jeton në Angli, ku është detyruar të ikë sepse, duke qenë fisnik, rrezikohet t’i pritet koka në gijotinë. Po koka e tij e shpëtuar, shumë shpejt do të nisë të prodhojë kryevepra e ai do të bëhet shkrimtar i famshëm, madje shumë shkrimtarë, gjatë shekullit XIX, do ta marrin si model.
Në vitin 1799 Shatobrian merr vesh se i kishte vdekur e ëma. Me që ishte thellësisht besimtare, revolucioni e bëri të vuajë sa s’ka ku të vejë më. E i biri, që ‘ta ngushëllojë’ për këto vuajtje, vendos të shkruajë një libër në nder të krishterimit, duke kujtuar gjithçka i dhuroi njerëzimit feja e krishterë, e gjithçka vijon t’i dhurojë. Krishterimi i dha Evropës kulturën, krijoi vepra arti të papërsëritshme për nga mjeshtria artistike e mesazhi që transmetojnë e, ajo që ka më tepër rëndësi, i bëri njerëzit më të mirë. Kush është i krishterë i vërtetë, nuk mund të mos jetë njeri i mirë. Shatobrian e përshkruan gjithë këtë me zjarr të madh, si të ishte duke i prirë betejës për shpëtimin e fesë. E titullon librin “Gjeniu i krishterimit”. Në këtë epokë, gjeni do të thotë ‘origjinalitet’,‘forcë krijuese’: është një term, në të cilin Shatobrian dëshiron të përmbledhë të gjitha cilësitë e krishterimit.
Tri vjet më pas, kur bëhet gati ta botojë, e sigurojnë se do të jetë një dështim i plotë. Jemi në vitin 1802. Libri botohet e suksesi është i papërshkrueshëm. Francezët, që i qëndruan besnikë fesë së tyre, kanë dëshirë ta rizbulojnë e krenohen me thesaret e saj. Prandaj zhyten në leximin e librit të mrekullive të krishterimit!Një javë pas botimit, Napoleoni, që komandon Francën, nënshkruan paqen me Kishën. Falë kësaj marrëveshjeje, të quajtur Konkordat, krishterimi jo vetëm rinjihet, por edhe mbrohet nga shteti. Të krishterët mund ta ngrejnë përsëri kokën lart… e libri i Shatobrian bëhet dhuratë e çmuar për të gjithë ata, që duan të kërkojnë e të bëjnë të vetat thesaret e pafundme të krishterimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.