2008-08-11 16:07:10

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot reflektoi mbi rreziqet e zbraztësisë shpirtërore, që krijojnë disa aspekte të shoqërisë së mirëqenies.


(11.08.2008 RV)Gjatë lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot, duke folur në fillim në gjuhën gjermane, Ati i Shenjtë nënvizoi kënaqësinë e ditëve të pushimit, për të kujtuar, më pas, Ungjillin e djeshëm, që i çoi besimtarët nga vendi i pushimit, në jetën e përditshme. Tregon Ungjilli – shpjegoi Papa – sesi pas shumëzimit të bukëve, Zoti ngjitet në mal për të ndenjur vetëm me Atin. Ndërkaq nxënësit janë në liqen e, me barkën e tyre të vjetër, lodhen më kot për të përballuar erën e kundërt. Edhe sot – vijoi Benedikti XVI – në shumë vise të tokës, Kisha përpiqet të përparojë, pavarësisht nga era e kundërt, e duket sikur Zoti është tepër larg, por Ungjilli na jep përgjigje, ngushëllim e zemër. Njëkohësisht na tregon edhe udhën. Krishti na shtrin dorën, ashtu si nxënësve, e vetëm në se ne e shtrëngojmë atë dorë dhe e lemë të na prijë – shtoi Benedikti XVI – udha jonë është e drejtë dhe e mirë. Për këtë duam të lutemi – pohoi Papa – që ta shtrëngojmë gjithnjë dorën e Tij e, më pas, t’ia shtrijmë edhe ne dorën atyre që kanë nevojë, për t’i udhëhequr në ujërat e historisë sonë.
Papa e vijoi reflektimin në gjuhën italiane, duke u drejtuar një ftesë të fuqishme e të përzemërt të rinjve, që të mos e ngatërrojnë gëzimin e vërtetë, me mirazhet e rreme të kënaqësisë. Benedikti XVI kujtoi fytyrat gazmore të shumë djemve e vajzave nga të katër anët e botës, takuar në Sidnei, të cilët provuan gëzimin e vërtetë të zbulimit, së bashku, të një bote të re, pa pasur nevojë të sillen në mënyrë të pahijshme e të dhunshme, të përdorin alkool e drogë. Papa e nënvizoi këtë, duke menduar me dhimbje, bashkëmoshatarët e tyre, që bien në hendekun e arratisjeve të rreme nga realiteti, jetojnë përvoja zvetënuese e, jo radhë, bëhen viktima të tragjedive, që mund të shmangeshin. Benedikti XVI analizoi edhe shkaqet:
Ky është prodhim tipik i së ashtuquajturës ‘shoqëria aktuale e mirëqenies” e cila, për të mbushur zbraztësinë shpirtërore e mërzinë, që e shoqëron, të nxit të provosh përvoja të reja, më emocionuese, më ekstreme”.
Edhe pushimet – kujtoi Papa – krijojnë kështu rrezikun të shndërrohen në mirazhe të kënaqësisë. Por në këtë mënyrë – vërejti Ati i Shenjtë – shpirti nuk pushon, zemra nuk provon gëzim e nuk gjen paqe, përkundrazi, lodhet e trishtohet edhe më shumë se përpara. Papa shpjegoi edhe se nuk po u fliste vetëm të rinjve:
“Përmenda të rinjtë, sepse janë më të etur për jetë e për përvoja të reja, e prandaj edhe rrezikohen më shumë. Por reflektimi vlen për të gjithë: njeriu rilindet vërtetë vetëm në lidhje me Hyjin, e Hyjin mund ta takojë vetëm duke e dëgjuar zërin e Tij në qetësinë shpirtërore e në heshtje”.
Papa uroi që në një shoqëri, që vijon të vrapojë gjithë ditën, pushimet të jenë çaste të vërteta prehjeje.







All the contents on this site are copyrighted ©.