2008-08-11 16:06:05

Nunci apostolik në Gjeorgji: bashkësia ndërkombëtare të mos e lërë vetëm këtë tokë.


(11.08.2008 RV)RealAudioMP3 “Një masakër e kotë”. Kështu, duke cituar fjalët e Papës Benedikti XV referuar luftës së parë botërore, Nunci Apostolik, imzot Antonio Mennini, përfaqësues i Vatikanit në Federaten Ruse, e ka quajtur konfliktin ndërmjet Moskës e Tbilisit, duke dënuar dhunën e kërkuar ndaljen e mënjëhershme të luftimeve, për të ndihuar popullsinë e goditur.
“Uroj që Bashkësia Ndërkombëtare të jetë solidare, mjetet e informimit, objektive, e të veprojnë në mënyrë që bota të dijë, të jetë e pranishme e të kujdeset për popullsitë e goditura nga konflikti”. Këtë uron, një ditë pas thirrjes së djeshme të Papës në lutjen e Engjëllit të Tënzot, nunci apostolik në Gjeorgji, imzot Klaudio Gugjeroti, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Nuk mund të mos i bëj të miat fjalët e Atit të Shenjtë, të cilat dje u shqiptuan me shqetësim të thellë për këto popullsi, që po vuajnë tmerrësisht e për një perspektivë, që mund të jetë dramatike. Marrim lajme nga më të ndryshmet: lajme që flasin për marrëveshje të pjesëshme, të përkohëshme. Po këtu ndjehet nevoja për paqe të qëndrueshme, sepse kemi të bëjmë me një fuçi baruti, që mund të hedhë në erë mbarë kontinentin. Thirrja që bëj, kthehet edhe në lutje, në përgjërim drejtuar Zotit dhe të gjithë njerëzvet vullnetmirë, që ta kuptojnë se luftëra të kësaj natyre sjellin vetëm shkatërrime e vënë në rrezik më të varfërit, më të ligshtit, nganjëherë për arsye, që nuk janë në lartësinë e asaj që thuhet. Ne kërkojmë me të vërtetë t’u jepet fund veprimtarive ushtarake, të rifillojë dialogu në mënyrë të qetë, sa më shpejt që të jetë e mundur e, posaçërisht, që Bashkësia Ndërkombëtare të mos i lërë vetëm këto vende, në këto çaste vuajtjeje, sepse nga brenda është tepër vështirë të qetësohet situata; duhet të ndërhyjë një prani informacioni solidar e objektiv ndërkombëtar, në mënyrë që bota të dijë, të jetë e pranishme, të kujdeset për këtë tokë të vogël, por jashtëzakonisht të rëndësishme.

 
Pyetje: - Një tokë e vogël, në të cilën popullsitë i bashkon e njëjta fe, feja e krishterë…

 
Përgjigje: - Dy herë Ati i Shenjtë përsëriti, në fjalimin e djeshëm, në fjalët që tha pas Engjëllit të Tënzot, vlerat e përbashkëta të krishtera dhe faktin se bashkohet në lutje me popullsitë ortodokse. Kjo fe e përbashkët, në të cilën besojmë të gjithë, por veçanërisht bashkimi i plotë ndërmjet Kishës së Gjeorgjisë e asaj të Rusisë, duhet të jenë një urë e privilegjuar për rivendosjen e paqes, atje ku armët sigurisht flasin me një gjuhë të ndryshme, gjuhë që nuk njeh armëpushim as vlera!







All the contents on this site are copyrighted ©.