2008-08-11 16:06:31

Diplomacia ndërkombëtare në punë për të ndalur luftën e hapur ndërmjet Gjeorgjisë e Rusisë e zgjidhur krizën e Osetisë së Jugut.


(11.08.2008 RV)Papa Benedikti XVI, Bashkësia ndërkombëtare, Bashkimi Evropjan, SHBA-së e Kina kërkojnë ndalimin e menjëhershme të luftimeve, që ka shkaktuar kriza në Osetinë e Jugut e që rrezikon të përhapet edhe në provincën tjetër gjeorgjiane të Abkhazisë.
Një thirrje të fuqishme Papa Benedikti XVI i ka bërë Rusisë e Gjeorgjisë për braktisjen e armëve dhe rimarrjen e dialogut mbi krizën në Oseti të jugut. Edhe bashkësia ndërkombëtare, sidomos SHBA-së e Bashkimi Evropjan, i kanë kërkuar Rusisë e Gjeorgjisë të ndërmarrin rrugën e negociatave.
Ndërkaq në terren gjendja është e tmerrshme: të vdekur, të plagosur e ndërtesa të shkatërruara në Tbilisi e zona tjera. Kështu rrëfejnë ata që kanë qenë dëshmitarë të asaj që ka ndodhur këtyre ditëve në Gjeorgji. E “armë-pushimi” i lajmëruar e disa herë i përngënjeshtruar, nuk premton asgjë të mirë. Gjendja mbetët jashtëzakonisht e tensionuar, e si pasojë e luftimeve që vazhdojnë në terren, është krijuar edhe problemi humanitar, me mijëra e mijëra civilë që kanë braktisur shtëpitë dhe qytetët e tyre për t’i ikur luftimeve dhe bombardimeve ruse të denoncuara nga Tbilisi.
Presidenti i Gjeorgjisë, Mikhail Sakashvili, ka deklaruar se “është dakord me planin e paraqitur nga Bashkimi Evropjan” për t’i dhënë fund konfliktit, por nënshkrimit gjeorgjian dhënë ministrit të Jashtëm francezë, Bernard Kushner në Tbilisi gjatë misionit ndërmjetësues së bashku me homologun finlandezë, Aleksander Stubb, i mungon ende nënshkrimi tjetër, ai i Moskës, ku Kushner ka shkuar sot pasdite për ti kërkuar autoriteteve ruse ndaljen e sulmeve ushtarake dhe tërheqjen e trupave nga territori i Gjeorgjisë e për të zgjidhur kështu konfliktin përmes dialogut.
Presidenti Amerikan Bush duke dënuar aksionin ushtarak rus e ka përcaktuar sot të “papranueshme” dhunën në Gjeorgji nga ana e Rusisë. “Kam thënë se kjo dhunë është e papranueshme, e nuk i kam thënë vetëm Vladimir Putinit, por ia kam thënë edhe presidentit të vendit, Dimitri Medvedev”, ka deklaruar Bush në një intervist dhënë rrjetit televiziv Nbc. Bush ka bërë thirrje për ndërmjetësim ndërkombëtar për zgjidhjen e mospajtimeve lidhur me rajonin separatist, Osetia Jugore, në Gjeorgji dhe ka kërkuar gjithashtu që trupat e të gjitha palëve të kthehen atje ku ishin para se të shpërthenin armiqësitë më datë 6 të këtij muaji.
Mbështetja politike e drej dy ditësh edhe ajo e armatosur e Rusisë ndaj separatistëve të Osetisë së Jugut rrezikon të ndez rajonin e Kaukazit, që është një mozaik etnik e fetar.








All the contents on this site are copyrighted ©.