Shenjtorët e Javës së ardhshme sipas Kalendarit kishtar
(10.08.2008 RV)Sot Kisha katolike
kremtoi të Dielën XIX të Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar. U përkujtua edhe
Shën Lorenci, diakon e martir.
Në se Zoti ia dëfton lumninë profetit, aq më
shumë do ta tregojë pushtetin kur, pasi e ngjalli Jezusin nga të vdekurit, do t’u
prijë nxënësve të Tij drejt Mbretërisë së qiellit. Këtë na kujton liturgjia të
hënën, në festën e Shenjtorëve Kiara e Asizit, virgjër, themeluese e klariseve,
Tiburci martir e Suzana romake.
Njeriu që ushqehet
vazhdimisht me fjalën e Zotit, bëhet i përvujtë e i dëgjueshëm, si fëmijët: prandaj
Ati qiellor nuk e lëshon kurrë dore, e ruan, e ushqen e ia mbush shpirtin me gëzimin,
që vetëm Ai di ta japë. Ky reflektim buron nga liturgjia e së martës, në festën
e Shën Gjovana Françeska Shantal, rregulltare e të Shën Inoçencit XI, papë.
Të
mërkurën do të kremtohen Shën Ponciani Papë e Hipoliti, meshtar, martirë dhe Shën
Gjoni Berkmans, jezuit. Na kujtojnë se njerëzit e prapë, për shkak të prapësive të
tyre, nuk mund të shpëtojnë nga dënimi i pashmangshëm i Zotit. Prandaj duhen ndihmuar
sa më shpejt me qortime, me lutje e këshilla vëllazërore, që të rigjejnë praninë
paqëtuese të Zotit, në sa nuk janë thirrur ende para gjyqit të Tij. Këtë na kujton
liturgjia e së enjtes, në festën e Shën Maksimilian Kolbes, meshtar françeskan
konventual e martir dhe Shën Euzebit, romak.
Të premten do të kremtohen
Solemniteti i të Ngjiturit të Zojës në Qiell, një nga festat më të dashura për devocionin
popullor. Kujtojmë në këtë festë të ngjiturit e Virgjërës Mari në Qiell me shpirt
e korp, ashtu siç ka besuar gjithnjë Kisha, që nga zanafilla e saj e ashtu si, më
pas, Piu XII e shpalli solemnisht më 1 nëntor 1950. Do të përkujtohen edheShën Tarçizi romak, martir e Shën Stanisau Kostka, jezuit.
Shën Shtjefni,
mbret i Hungarisë e Shëna Rroku, shtegtar, që do të festohen të shtunën, na
kujtojnë se Zoti do ta gjykojë secilin nga ne sipas veprave tona, prandaj duhet
të shkojmë te Jezusi si fëmijët, të cilët besojnë se Zoti, që i do, do t’i falë.
Të
dielën e ardhshme Kisha do të vijojë liturgjinë e Kohës së zakonshme gjatë vitit
kishtar, duke kremtuar të dielën XX të kësaj kohe.