2008-08-10 18:05:11

Një javë me Benediktin XVI, i cili nesër nga Bresanone kthehet në Kastel Gandolfo.


(10.08.2008 RV)Sot Papa e kremtoi përsëri lutjen e Engjëllit të Tënzot nga Sheshi i Katedrales së Bresanones, ku para lutjes mariane, ipeshkvi i Bolxano-Besanones, imzot Vilhelm Eger, kryesoi Meshën Shenjte, në praninë e mijëra besimtarëve.
Është lutja e dytë dhe e fundit e Engjëllit të Tënzot e kremtuar në Bresanone. Nesër Papa do të largohet nga vendpushimi i sivjetëm, drejt Bolxanos, prej nga do të niset me avion për në Romë e më pas, për në Kastel Gandolfo, ku do të kalojë pjesën tjetër të stinës së nxehtë.
Dje, një ditë para se të nisej, pranë Seminarit, ku kaloi periudhën e pushimeve, Atit të Shenjtë iu dorëzua titulli ‘Qytetar Nderi’ i Bresanones me motivacionin e dyfishtë: “Për lidhjet e ngushta që Benedikti XVI ka me Bresanonen, qytet ku kaloi disa herë pushimet e në të cilin u rikthye si Papë” si dhe “për impenjimin e Atit të Shenjtë në nxitjen e dialogut ndërmjet feve”.
Dorëzimi i qytetarisë së nderit Benediktit XVI vulosi edhe vëllazërimin ndërmjet Bresanones e Regensburgut, në universitetin e të cilit Papa ka qenë profesor i dogmatikës, i historisë së dogmave dhe zevendës-drejtor.
Të premten e kaluar në Pekin u hapën Lojërat XXIX Olimpike të epokës moderne. Autoritetet kineze i lejuan meshtarët e huaj të kremtojnë meshë në dy kishat e kryeqytetit; liturgjitë do të vijojnë çdo të diele, deri më 20 shtator, në katedralen e Dongtanit, në qendër të Pekinit, dhe në atë të Bei Tan.
E ndërkaq të martën e kaluar mendimi i Bendiktit XVI, shkoi përsëri në Kinë në sa, gjatë vizitës në Val Badia, nderoi kujtimin e një biri të shquar të kësaj toke: Shën Jozefin Frainademec, misionar në Kinë, në shekullin XX. T’i dëgjojmë fjalët e Papës:
“Një Shenjt jashtëzakonisht aktual: e dimë se Kina bëhet gjithnjë më e rëndësishme në jetën politike, ekonomike e edhe në jetën e ideve. Ka shumë rëndësi që ky vend t’ia hapë portat Ungjillit!”.
E më pas:
“Shën Jozefi Frainademec na dëshmon se feja nuk është tjetërsim për asnjë kulturë, për asnjë popull, sepse të gjitha kulturat e presin Krishtin, që nuk i shkatërron: përkundrazi, me Të arrijnë pjekurinë e tyre të plotë”.
Kujtojmë edhe se të dielën e kaluar, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI përshëndeti sportistët, që marrin pjesë në Olimpiadën e Pekinit, duke u uruar të arrijnë rezultatet e dëshiruara, në frymën e vërtetë të garave olimpike:
“E ndjek me simpati të thellë këtë takim të madh sportiv – më i rëndësishmi e më i prituri në nivel botëror – e uroj që t’i japë bashkësisë ndërkombëtare një shembull me vlerë të bashkëjetesës ndërmjet njerëzve me prejardhje të ndryshme, që respektojnë dinjitetin e përbashkët. Uroj edhe një herë që sporti të jetë peng vëllazërimi e paqeje ndërmjet popujve”.
Por të rikthehemi përsëri pas në kohë, duke kujtuar të mërkurën e kaluar, kur Papa mori pjesë në takimin e gëzueshëm me meshtarët e diakonët në Katedralen e Bresanones. Pas përshëndetjes së ipeshkvit të Bolxano-Bresanones, imzot Vilhelm Eger, disa meshtarë i drejtuan pyetje Atit të Shenjtë. U prekën një mori temash me interes për jetën e Kishës e të botës. Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë e botoi tekstin e plotë të këtij dialogu.Ndërkaq Ati i Shenjtë përgatitet shpirtërisht për shtegtimet e ardhshme, që fillojnë në në muajin shtator: më parë në Kaliari e pastaj në Paris e në Lurdë.
Më pas do të jetë sinodi i ipeshkvijve për të cilin, natyrisht, Papa ka filluar të përgatitet.
Më 4 tetorin e ardhshëm, festa e Shën Françeskut të Asizit, Benedikti XVI do të shkojë në Kuirinale, për t’i kthyer presidentit të Republikës së Italisë, Gjorgjio Napolitano, vizitën që i bëri në Vatikan më 20 nëntor 2006.
Pas vizitës në Kuirinale, programuar për datën 4 tetor, Benedikti XVI do të bëjë edhe një vizitë tjetër. Do të shkojë në Shenjtëroren e njohur mariane të Pompeit, pranë Napolit, ku do të kremtojë Meshën Shenjte dhe do të thotë lutjen drejtuar Virgjërës Mari, shkruar nga Bartolomeo Longo. Ati i Shenjtë do t’ia besojë ndërmjetësimit të Zojës reflektimet dhe përfundimet e Sinodit të Ipeshkvijve, që do të mbahet gjatë muajit tetor në Vatikan. Veç kësaj, Benedikti XVI do t’ua porosisë ipeshkvijve të mbarë Kishës familjet e gjithë botës e do t’i lutet Nënës së Krishtit, së bashku me Kishën, që është në Pompei e me miliona besimtarët, që thonë Rruzaren Shenjte, për unitetin e familjeve, besnikërinë ndërmjet bashkëshortëve, guximin për t’i edukuar fëmijët në fe.







All the contents on this site are copyrighted ©.