2008-08-10 17:49:43

Me Nënë Terezën : “Zoti na ‘llaston’ më shumë…!”.


(10.08.2008 RV)Një propozim për t’ia ndryshuar faqen shoqërisë: e bën Gruaja e parë shqiptare, që u lartua në nderimet e elterit, në Emisionin tonë të tetë të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, që bazohet tek libri ‘Jeta ime’. Nuk niset nga kritikat kundër sistemit, siç bëjmë pak a shumë të gjithë. Propozon një rrugë tjetër...

“Kur i dëgjoj njerëzit që s’bëjnë gjë tjetër, veçse kritikojnë sistemin, ose strukturat shoqërore, mbetem gjithnjë thellësisht e pakënaqur.
Përgjigja ime në këto raste, është kjo:
“Para se të ndryshojmë të tjerët, duhet të nisim nga vetvetja. Po, sepse jemi ne që gabojmë, që mëkatojmë, që nuk e duam njëri-tjetrin. Këtu duhet kërkuar fatkeqësia e shumë njerëzve.
Vuajtja e njërës palë, është pasojë e fajeve të palës tjetër.
Gjithandej thuhet se Nënë Tereza po i llaston të varfërit, duke u dhënë gjithçka falas.
Në një takim, organizuar në Bengabre, ku merrja pjesë, një rregulltare ma përplasi në fytyrë këtë mendim:
“Nënë Terezë, ju po i përkëdhelni pak si tepër të varfërit, duke u dhënë gjithçka falas. Kështu ata e humbasin fare dinjitetin e tyre”.
Heshta, derisa u qetësua zhurma që shpërtheu në sallë, e pastaj, kur u rivendos plotësisht qetësia, thashë:
“Askush nuk na llaston më shumë se vetë Zoti. Shikoni dhuratat që na i ka dhënë krejt falas. Vërej se asnjë nga të pranishmit nuk mban syze. Domethënë shikoni mirë të gjithë. Ç’do të ndodhte sikur Zoti do t’ju kërkonte të paguanit, për të parë? Marrim frymë çdo çast e jetojmë në sajë të oksigjenit që thithim, pa paguar asnjë qindrakë. Ç’do të ndodhte sikur Zoti, një ditë të bukur, të na thoshte:
“Puno katër orë, e do të kesh dy orë dritë? Sa nga ne do të mund të jetonin në këtë mënyrë?”.
Më pas shtova.
“Ka shumë kongregata rregulltare që i llastojnë të pasurit. Nuk ka asgjë të keqe të jetë edhe një për të varfërit, pa çka se i llaston”.
Në sallë mbretëroi heshtja e thellë.Askush nuk shtoi më asnjë fjalë!







All the contents on this site are copyrighted ©.