2008-08-09 14:49:44

Rubrika radiofonike "365 ditë": "Maria Tereza dë Lamurus, informatore e fshehtë e klerit të Bordosë".


(09.08.2008 RV)“Zonjushe, erdha t’ju them lamtumirë! Kanë caktuar një shumë të madhe të hollash si shpërblim për kokën time! Prandaj më duhet të iki një orë e më parë nga Bordo e të fshihem ku të mundem”.
Maria Tereza de Lamurus tronditet thellë. E njeh meshtarin që prej tridhjetë vjetësh: ai e ka pagëzuar, i ka mësuar katekizmin e e ka ndihmuar për t’i kapërcyer të gjitha vështirësitë, që nuk mungojnë kurrë në udhën e jetës. Maria Tereza e di pse e kërkojnë në këtë vit ogurzi 1791. Ai nuk ka pranuar të bëjë betimin për t’i qëndruar besnik Kushtetutës civile të klerit e kështu është bërë prift refraktar, që do të thotë rebel.
Maria Tereza nuk mund të durojë më. Vendos: duke parë se revolucinarët persekutojnë mijëra njerëz të pafajshëm, do të radhitet pikërisht nga ana e rebelëve. Të dalë ku të dalë! E, pak kohë më pas, bëhet informatore e fshehtë. Duke u shtirë si mike e revolucionit, arrin të fitojë besimin e revolucionarëve të Bordosë. Shkon shpesh edhe në shtëpitë e tyre, ku arrin të bëjë zbulime shumë interesante….
“Qytetare, do ta dish të renë e fundit? Nesër do t’u vemë prangat pesëmbëdhjetë revolucionarëve, të cilëve pastaj do t’u fluturojë koka në gijotinë. Dëshiron ta lexosh listën? Janë lajme sekrete, që po t’i them në mirëbesim, kupton apo jo?”.
Maria Tereza i lexon emrat e qesh së bashku me ushtarët. Por pastaj vrapon pa frymë për t’i njoftuar pesëmbëdhjetë njerëzit, të cilëve u rrezikohen kokat. Shpesh janë meshtarë ose besimtarë të krishterë, që fshehin meshtarët në shtëpitë e tyre. Të nesërmën revolucinarët tërbohen, kur zbulojnë se viktimat nuk janë më aty, ku duhet të ishin. Zogjtë u kanë fluturuar nga kafazi. Por nuk kujtohen asnjëherë se Maria Tereza është bërë spiune, për të shpëtuar jetë njerëzish.
Megjithëkëtë, ajo e kupton se është vazhdimisht në rrezik: e tradhton vetë llagapi i saj aristokratik: dë Lamurus. Një të dielë dy ushtarë dërgohen në shtëpinë e saj për ta arrestuar. Kur i shikon në prag, Maria Tereza bën çmos ta sundojë veten e t’i presë me gëzim, si gjithmonë. I fton, sapo hyjnë: “Urdhëroni të darkojmë së bashku”.
Dy ushtarët e pranojë ftesën, të mrekulluar për mikpritjen e përzemërt. Pasi janë zhdëpur së ngrëni, i thonë: “Qytetare, a di pse jemi këtu?”.
“E ku ta di?”, përgjigjet gruaja me pamje krejt të pafajshme, “ndoshta jeni duke kërkuar punë!?”.
Ushtarët shkrihen gazi:
“Jo, moj, jo. Kemi ardhur të të arrestojmë, po si mund të arrestohet një vajzë kaq bujare. Do t’u themi eprorëve se nuk të gjetëm në shtëpi. Ti je mikeshë e revolucionit…”. “Sikur ta dinin sa e dua revolucionin …”, thotë me vete Maria, duke marrë frymë e lehtësuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.