2008-08-09 14:52:07

Përkujtimi i Shën Tereza Benediktës së Kryqit, Pajtore e Evropës.


(09.08.2008 RV)Sot Kisha katolike kremtoi festën e Shën Tereza-Benedetës së Kryqit, në shekull Edith Stein, martire, shpallur nga Papa Gjon Pali II bashkëpajtore e Evropës, me Shën Brigjidën e Suedisë dhe Shën Katerinën e Sienës.

Sot paradite, në Birkenau, u kremtua përsëri Mesha, në përkujtim të Bashkëpajtores së Evropës, në praninë e disa kardinajve, ipeshkvijve e meshtarëve, ardhur nga kisha të ndryshme të Evropës si dhe të një numri të madh rregulltaresh të familjes karmelitane, në të cilën bënte pjesë Edit Shtain. Nga elteri i Meshës u lartua lutja ekumenike për të gjitha viktimat e kampeve naziste të përqëndrimit dhe për paqen në botë.
Edit Shtain, shenjte karmelitane, filozofe e thellë e shkrimtare e shkëlqyer, pati një ndikim të madh mbi gratë e kohës së vet, ndikim që vjen gjithnjë duke u rritur edhe sot e kësaj dite në rrethet intelektuale e filozofike të Gjermanisë e të mbarë botës. Është burim frymëzimi për të gjithë të krishterët, e jo më pak për hebrenjtë, bijë e të cilëve ishte e për shpëtimin e të cilëve nga vuajtjet e perskutimet, flijoi edhe jetën.
Lindi më 12 tetor 1891 nga prindër hebrenj, në Breslau të Gjermanisë. U shkollua në qytetin e lindjes, në Gëtingen e në Fraiburg. Studioi filologji e filozofi, duke u doktoruar me rezultate të shkëlqyera. U bë shumë shpejt asistente dhe bashkëpunëtore e profesor Huserl, themelues i famshëm i fenomenologjisë, i cili e vlerësoi jashtzakonisht për mendjen e saj të ndritur. Ajo vijoi të studionte, gjithnjë e shqetë, gjithnjë e pakënaqur nga vetvetja e nga shkenca. Kërkonte të vërtetën, shpjegimin e enigmës së jetës. E gjeti vetëm në fenë katolike, pas leximit të jetëshkrimit të Shën Terezës së Avilës. U pagëzua ditën e vitit të ri 1922.
Pas pagëzimit vendosi të hyjë në Karmel, duke ia paraqitur Zotit jetën e vet si flije në elter për shpëtimin e njerëzve të saj. E ndërsa jetonte në vetminë e kuvendit të klauzurës, duke shkruar, duke medituar e duke prodhuar vepra të shkëlqyera, filozofike, që hapnin një faqe të re në historinë e filozofisë botërore, ndikimi i saj në botën plot zhurmë që zjente përjashta mureve të Karmelit, rritej çdo ditë. Ajo kishte veshur zhgunin e rregulltares më 14 tetor 1933: bashkë me veshjen e re, kishte marrë edhe një emër të ri: Shën Tereza Benedikta e Kryqit.
Kur shpërtheu persekutimi nazist kundër hebrenjve, motrat e transferuan në Hollandë. Kaloi kufirin më 31 dhjetor 1938 dhe u strehua në Karmelin e Eht-it, ku u prit me dashuri të madhe e ku shkroi edhe veprën e saj të fundit: "Shkenca e Kryqit".
Ndërsa vijonte të krijonte, nazistët kishin pushtuar Hollandën e ipeshkvijtë hollandezë kishin botuar një letër baritore, përmes së cilës protestonin për mbylljen e hebrenjve ndër kampet famëkëqija dhe përjashtimin e fëmijëve të tyre nga sistemi shkollor katolik. Nazistët, pa pyetur fare për këtë protestë, nisën të arrestojnë dhe të internojnë të gjithë katolikët hollandezë me origjinë hebreje që u ranë në dorë. Më 2 gusht 1942 nuk ngurruan të hynin në qelinë e heshtur të rregulltares-filozofe. E nxorën prej Karmelit të rënduar me pranga dhe e flakën në një nga trenat e bagëtive që shtegtonte drejt Auschwicit. Ishte një udhëtim tragjik që vijoi katër ditë. Shumë nga ata që udhëtonin në këtë shtegtim vdekjeje pranë Rregulltares, dhanë shpirt rrugës. Ajo arriti paksa gjallë, për të dhënë frymën e fundit në dhomat famëkëqija të gazit në Birkenau, më 9 gusht 1942. Fijimi ishte kryer.
Zoti e kishte pranuar sakrificën e asaj që Papa Gjon Pali II do ta shpallte të Lumtur më 1 maj 1987, Shenjte më 11 tetor 1998, Bashkëpajtore të Evropës më 1 tetor 1999, duke theksuar:
“Motër Tereza Benedikta e Kryqit na kujton të gjithëve: “Mos i pranoni si të vërteta gjërat, në të cilat mungon dashuria. E mos i pranoni si dashuri gjërat, në të cilat mungon e vërteta. Njëra pa tjetrën bëhet gënjeshtër shkatrrimtare!”.
Nga vendi, ku dikur ngrihej kampi i tmerrshëm, nuk ka mbetur më asgjë që të kujton mizoritë e kryera një gjysëm shekulli më parë. Mbi hirin e të vdekurve, lulëzon një pyll ku, si shenjë kujtimi, është ruajur vetëm baza e një furre krematore me një mbishkrim në hebraisht e polonisht për të kujtuar mijëra viktimat. Nga trupi i Edit Shtain nuk ka mbetur asnjë relike. Hiri i saj është i shpërndarë ndërmjet drurëve, shenjë e flijmit të plotë për Zotin e për popullin e vet. Sot, në kremtimin e festës së Bashkëpajtores së Evropës, po kujtojmë vetëm një fragment të shkurtër, por kuptimplotë nga vepra e saj:
"E kam pranë Zotin në orët e prehjes dhe e di se ai mund të më japë në çast atë, për të cilën kam nevojë. Atëherë pjesa tjetër e ditës vijon në paqe. E kur bie nata e shikoj mbrapa e vërej se sa pak kam realizuar nga ç' pata planifikuar, nuk ankohem: Vë gjithçka në dorën e Zotit e e lë aty. Kështu mund të pushoj në Të e ta nisi ditën që vjen si jetë të re".







All the contents on this site are copyrighted ©.