2008-08-08 17:54:07

Me Nënë Terezën : “Peshkun apo kallamin?”.


(08.08.2008 RV)RealAudioMP3 “Peshkun apo kallamin?” – është një nga alternativat më të mëdha të kohës, kur flitet për të varfërit. As Nënë Tereza nuk shpëtoi prej saj. Iu desh të përballonte moralistë të të gjitha ngjyrave, që mundohen ta shpëtojnë botën nga mjerimi veç me fjalë, të cilët ia drejtuan më se një herë këtë pyetje e të tjera. Ja si përgjigjet e Lumja shqiptare në Emisionin tonë të shtatë të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, që bazohet tek libri ‘Jeta ime’.

"Më se një here gazetarët ma përplasin në fytyrë mendimin e tyre negativ për veprimtarinë tonë, duke theksuar:
“Ju nuk bëni gjë tjetër, veçse i shpërndani ushqim të uriturve, ndërsa ajo që duhet të bëni, është t’u krijoni mundësitë ta fitojnë vetë bukën e gojës. Duhet t’u jepni një kallam e t’i mësoni të peshkojnë, dmth të jetojnë me djersën e ballit të tyre. Nuk kalohet jeta me lëmoshë!”.
U përgjigjem:
“Njerëzit që i gjejmë në rrugë të madhe e i sjellim në shtëpitë tona, janë tepër të ligshtë. S’janë të zotët të qëndrojnë në këmbë. Ne bëjmë çmos t’i mëkëmbim, të paktën aq sa të mund ta mbajnë kallamin.
Pastaj, ndoshta, ju mund t’i mësoni edhe të peshkojnë… ?!
Gjatë një takimi të eproreve të përgjithshme të kongregatave rregulltare, një meshtar na foli për risimin e punës baritore.
Theksoi vlerën e bindjes, por duke nënvizuar se s’është më koha të japim urdhëra, duke i përdorur foljet në mënyrën urdhërore: “Shko!”, “Eja”, “Bëj këtë e bëj atë”…
Na këshilloi që, sa herë të urdhërojmë, të shpjegojmë edhe pse e japim urdhërin e ta kërkojmë me lutje zbatimin e tij.
Si u ktheva në shtëpi, thirra një motër e veprova pikë për pikë si na kishte këshilluar meshtari.
I kërkova motrës të shkonte në një vend, duke i shpjeguar edhe arsyet e kërkesës sime.
Asaj iu mbushën sytë me lot e më tha:
“Nënë, nuk jam këtu për t’u trajtuar në këtë mënyrë. Më thuaj ku duhet të shkoj e do ta bëj pa qenë nevoja të më japësh shpjegime”.
Kur e takova sërisht meshtarin, i tregova menjëherë ç’më kish ndodhur, në përpjekjen për të ndjekur këshillat e tija.
“E po mirë – më tha – në se ju merreni vesh kështu, s’është nevoja të ndryshoni!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.