2008-08-08 17:53:08

Kaliari përgatitet për të pritur Benediktin XVI


(08.08.2008 RV)Takimi në Katedrale me meshtarët, seminaristët dhe bashkësinë e fakultetit teologjik dhe një takim tjetër në Bazilikën e Bonarias me njëqindvjeçarët sardë, janë të rejat që shtohen në programin e vizitës së Papës në Kaliari, më 7 shtator, për të cilat foli dje kryeipeshkvi i qytetit sard, imzot Xhuzepe Mani. Prelati paraqiti edhe programin e manifestimeve, që do t’i paraprijnë arritjes së Papës. Është një kalendar shumë i pasur me nisma, që do të fillojnë një ditë para Festës së të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në qiell, kur në muzeun e Katedrales do të hapet ekspozita ‘Veshjet e Shën Agostinit’. Do të hapet edhe një eskpozitë ikonografike kushtuar Shën Pjetrit, një ekspozitë lëvizëse në Muzeun arkelogjik sard mbi zanafillën e krishterimit në Ishull dhe një përmbledhje ikonash kushtuar Shën Luçiferit, ipeshkëv i Kaliarit në shekullin III.
Çasti më solemn do të jetë ai, kur Benedikti XVI do të vendosë në duart e shtatores së Zojës së Bonarias, një barkë të vogël, simbol i fesë së sardëve.Duke filluar nga lutjet e para mbrëmësore të datës 14 gusht, Kaliari do ta jetojë vigjiljen e vizitës së Papës nën shenjën e artit, të kulturës e sidomos, të lutjes.
Konfirmohen të gjitha hollësirat e vizitës së Benediktit XVI më 7 shtator: Ati i Shenjtë do të arrijë në Ishull rreth orës 9. 30. Një orë më pas do të kremtojë Meshën në tremen e Bazilikës së Bonarias. Pas drekës me ipeshkvijtë, do të shkojë në Katedrale e, në fund, në sheshin Karlo Feliçe, për takimin me të rinjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.