2008-08-08 17:53:19

Deklaratë e ipeshkvijve të Paraguait në prag të fillimit të detyrës së presidentit Fernando Lugo


(08.08.2008 RV) “Në zgjedhjet presidenciale të 20 prillit të kaluar, popullsia, duke shprehur dëshirën për ndryshime, votoi në favor të fillimit të një etape të re në jetën kombëtare”. Kështu shkruajë ipeshkvijtë e Paraguait në një deklaratë, publikuar në prag të fillimit të detyrës, më 15 gusht, të presidentit Fernado Lugo, që zë vendin e Nikanor Duarte. “Kjo ngjarje e rëndësishme – theksojnë prelatët – ka në qendër një figurë kryesore politike, atë të zotit Lugo, sot president i Republikës, në të kaluarën anëtar i kësaj Konference Ipeshkvnore, së cilës tani nuk i përket më, sepse është liruar nga gjendja klerikale me dëshirë e vendim të Benediktit XVI”. Ipeshkvijtë i urojnë qeverisë së re dhe popullit, që të arrihen objektivat e zhvillimit të vërtetë të vendit, duke zhdukur nga veprimtaria politike gabimet dhe praktikat negative të së kaluarës e duke i hapur rrugën marrjes së vendimeve urgjente për të vënë interesin e përgjithshëm mbi atë personal”. Kështu shkruajnë ipeshkvijtë, e në vijim theksojnë edhe një herë se “qeveria e Kisha, e cila nuk identifikohet me asnjë forcë politike, duhet të bashkëpunojnë në frymën e respektit reciprok, në interes të të gjithë njerëzve që jetojnë në trojet e atdheut”.







All the contents on this site are copyrighted ©.