2008-08-07 18:45:02

Sot Benedikti XVI bisedoi gjatë me kardinalin Bertone: Atë Lombardi: Nesër Papa do të shkojë në Val Badia…


(04.08.2008 RV)Sot paradite, në vendpushimin e Papës arriti sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone që, duke rikujtuar fjalët e Atit të Shenjtë kushtuar Olimpiadës së Pekinit, foli pozitivisht për hapjen e kësaj feste të madhe sportive, përgatitur nga autoritetet kineze. Sot Benedikti XVI e kardinali Bertone biseduan gjatë, ndërsa nesër Papa do të shkojë në Val Badia, për të nderuar Shën Jozefin Frainademec, misionar në trojet kineze. Prania e kardinalit Bertone nënvizon se periudha e pushimit, për Papën nuk do të thotë aspak mungesë e plotë pune. Reflektim i drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardit, me telefon nga Bresanone:

Përgjigje: - Problemet e Kishës natyrisht shkojnë përpara, nuk ndalohen në stinën verore. Prandaj një takim për t’u njohur me të rejat më urgjente me kardinalin sekretar të Shtetit, ishte i rëndësishëm, sepse kanë kaluar dy javë që kur Papa e sekretari i Shtetit nuk janë takuar gjatë. Nuk e di në se do të bisedojnë edhe pasdite, por mendoj se gjërat kryesore i thanë sot paradite.

 
Pyetje: - Dje pasdite Papa, pak si papritur, bëri shëtitjen tij të parë. Shkoi në një vend lutjeje. Edhe kjo ndoshta tregon se Ati i Shenjtë është i lumtur për atmosferën familjare, që gjeti në Bresanone…

 
Përgjigje: - Po, sigurisht. Në se java e parë iu kushtua më shumë përqëndrimit shpirtëror, e dyta mund të jetë javë e rifillimit të disa impenjimeve. Dalja e djeshme nuk qe e programuar, ishte diçka e papritur. Papa është i lirë të vendosë në çastin e fundit, në se dëshiron të dalë në shëtitje. Dje shkoi në kishën e Shën Andreut. Ndërsa për nesër pritet një veprimtari më impenjative, sepse Papa e ka ndër mend të shkojë në Oies në Val Badia, vendlindje Shën Jozef Frainademec, misionar i madh në Kinë, verbit, kanonizuar pak vjet më parë, figurë tepër e rëndësishme për gjithë Alto Adigjen: është shenjti i banorëve vendas. Fakti që Papa shkon të nderojë këtë misionar të madh, e për më tepër misionar në Kinë – vend tejet i pranishëm në lutjen e Benediktit XVI, është diçka vërtetë e bukur, që bashkon shumë njerëz në këtë lutje.

 
Pyetje: - Të mërkurën Papa do të takohet me meshtarët e dioqezës e, ashtu si vitet e kaluara në Lë Kombë e në Lorencago, do t’i japë të gjithëve nxitje për një reflektim me vlerë përgjithësuese…

 
Përgjigje: - Mua më janë dukur gjithnjë këto takime të Papës me klerin jashtëzakonisht të pasura me mendime të thella. Papa dëshiron të jetë në një mjedis të qetë, edhe pak të rezervuar, me meshtarët e vet, por jo sepse thotë gjëra, të cilat pastaj nuk duhet të njihen edhe nga të tjerët, por pse kështu krijohet atmosfera familjare e bariut që shtrohet në kuvend me bashkëpunëtorët e tij në shërbimin meshtarak. Temat që trajtohen, pastaj, ashtu si në takimet e mëparshme, janë me horizont shumë të gjërë, prekin probleme që kanë të bëjnë me punën baritore. Meshtarët janë të lirë të bëjnë pyetje themelore për jetën e Kishës së sotme. Me që takimi organizohet në këtë zonë, një pjesë e pyetje-përgjigjeve do të jenë në gjuhën italiane, por ka shumë mundësi që pjesa kryesore të jetë në atë gjermane. E kjo i krijon Papës mundësinë të përgjigjet më me lehtësi e thellësi.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.