2008-08-07 18:25:41

Olimpiada e Pekinit shënon hapjen e portave të Kinës.


(07.08.2008 RV)RealAudioMP3 Ditën e tetë, të muajit të tetë, të vitit të tetë të këtij mijëvjeçari, më 8 gusht 2008 fillojnë në Pekin Lojërat XXIX Olimpike të epokës moderne. Ky vargan numrash është zgjedhur nga vetë organizatorët kinezë, me që për Kinën numri 8 konsiderohet me fat. Me këtë frymë nisin Lojërat e jo vetëm në aspektin sportiv, por kryesisht në aspektin shoqëroro-politik në përgjithësi, sepse “Kina tashmë i hapi portat’ siç pohoi, të hënën e kaluar, kardinali Tarçizio Bertone, duke kujtuar fjalët e Papës në lutjen e Engjëllit të Tënzot, një ditë më parë.
Me këto fjalë përkojnë deklaratat e përfaqësuesve më të lartë, si të qeverisë kineze, ashtu edhe të sportit botëror. “Do të vijojmë të bëjmë reforma të përgjithshme, duke përfshirë edhe reformimin e sistemit politik”. Kështu, duke i peshuar fjalët një për një, presidenti kinez Hu Jintao shpjegoi, pak ditë më parë, se Kina e shikon këtë Olimpiadë si çast të kalimit drejt hapjes së portave të reja, më të rëndësishme, për të përshpejtuar ndërtimin e një vendi modern, për të realizuar rilindjen e kinezëve e për të kërkuar progesin paqësor, bashkëjetesën miqësore dhe zhvillimin e harmonishëm me popujt e botës.
Hu nënvizoi se edhe këto Lojëra nuk i përkasin vetëm popullit kinez, por mbarë popujve të botës. Ndërkaq Komiteti Olimpik njofton se janë zhbllokuar shumë kanale të internetit, që zakonisht në Kinë nxiheshin, fenomen që njihet mirë në të gjitha vendet ish-komuniste, ku nuk nxiheshin vetëm ekranet. Megjithatë, jo gjithçka është e hapur: vijojnë të mbeten të mbyllura disa kanale interneti e televizioni. Tani për tani premtimet për liri të plotë, mbeten vetëm fjalë, për të cilat organizatat ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut, kanë shumë dyshime.
Gjithsesi në Pekin vërehen ndryshime të jashtëzakonshme: janë ndërtuar 31 impiante për garat, me në krye stadiumin ‘Foleja e zogut’, që zë njëqind mijë vetë, tashmë simbol i Olimpiadës; Pallati i Notit; tri rrjete metropolitane, që transportojnë miliona njerëz në të katër anët e metropolit të pakufishëm; terminali i tretë i aeroportit; Teatri vigan i Operas e rrokaqielli i televizionit të Shtetit. Kështu kryeqyteti nuk e ka më fytyrën imperiale e feudale. Ka fytyrën e re të një qyteti agresiv të pararojës. Ndryshimet që u bënë këto ditë në Pekin, janë shumë më të ndjeshme se ato që u bënë në Athinë, në Sidnei, në Atlanta, në Barcelonë e në Los Anxhelos, seli të lojrave të mëparshme.Por gjithë kjo është vetëm ana e jashtme. Brendia do të vlerësohet kur të shuhen reflektorët pas ceremonisë përfundimtare të Lojërave. Gjithsesi mendohet se pikërisht në këto Lojëra Olimpike, mund të shohim modelin e Kinës së ardhshme, sepse janë një dritare e hapur në vendin më të populluar të botës.
Mjafton të kujtojmë disa shifra rekord të Pekinit 2008: përfaqësohen 205 kombe, 45% e sportistëve pjesëmarrës janë gra, përgatiten 4500 teste antidoping e po aq masa për t’iu kundërvënë basteve të fshehta, pa llogaritur numrin e medaljeve, që ende presin gjokset e fituesve.
Shumë komentues të Lojërave i shikojnë sportisët kinezë si simbol i një vendi, që zhvillohet me shpejtësi marramendëse.







All the contents on this site are copyrighted ©.