2008-08-07 18:30:33

Me Nënë Terezën : “Ju lutem, mos ndërhyni!”.


(07.08.2008 RV)RealAudioMP3 Emisioni i gjashtë i ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, që bazohet tek libri ‘Jeta ime’, titullohet: “Ju lutem, mos ndërhyni’ . Përmes tij e Lumja shqiptare na mëson si duhet të veprojmë, për të qenë të mëdhenj para syve të Zotit e, sidomos, për të mos e dëshmuar Krishtin me fjalë boshe, por me vepra!

“Jemi shumë njerëzore.
Kalojmë çaste të gëzuara e të trishtuara, si gjithë bota.
Po ndërmjet nesh nuk ka shumë pakënaqësi, as të pakënaqur.
Besoj se mund të numërohen me gishtërinjtë e njërës dorë – e madje ndoshta tepron ndonjë – motrat që kanë ikur nga ne.
Lutuni për të gjithë ata që bënë pjesë në Kongregatë: që Zoti t’i mbrojë e t’i ruajë me dashurinë e Tij.
Ne nuk bëjmë si djaloshi i pasur i Ungjillit.
Jezusi e takoi, e pa me dashuri dhe i kërkoi ta ndiqte, por ai e kishte lidhur zemrën me gjëra të tjera: me pasuritë.
Ishte i pasur, i ri, i shëndetshëm.
Jezusi nuk mund ta ngopte zemrën e tij.
Ne, përkundrazi, duhet të jemi si Xakeu.
Ai ishte burrë vocrrak, shtatshkurtër, i vetëdijshëm për vogëlsinë e vet.
Duke e ditur se ishte i shkurtër, mori një vendim shumë të thjeshtë për ta parë Jezusin: u ngjit mbi një pemë.
Në se nuk do të kishte zgjedhur këtë rrugë kaq të thjeshtë, për t’i treguar Jezusit sa shumë dëshironte ta shihte, Zoti nuk do të kishte mundur t’ia tregonte dashurinë e tij e as nuk do të mund t’i thoshte:
“Xake, zbrit se dua të ha në shtëpinë tënde”.
Në bazë të të gjitha veprimeve tona, janë fjalët e Jezusit: “Mësoni nga unë që jam zemërbutë e i përvujtë”.
Ka nga ata që më këshillojnë t’i ndryshoj disa gjëra.
Për shembull, më thonë se duhet të vë ndër dhoma e në kapelë ajrin e kondicionuar.
Po të varfërit, të cilëve u shërbejmë, a e kanë?
Pastaj shumica e të rejave vijnë nga fshatra të vegjël të Indisë, ku kondicionatorët e ajrit nuk njihen fare.
Nuk është mirë të gjejnë tek ne, kushte që nuk i kishin në shtëpitë e tyre.
Detyrohem, kështu, t’u them disa njerëzve: “Ju lutem, mos ndërhyni në jetën tonë”.
Një herë mora pjesë në një takim të eproreve të përgjithshme, në Romë.
S’folën për tjetër, veçse për ndryshimin e strukturave të shoqërisë e për kushtet e reja të jetesës”.
Të gjitha fjalët që dëgjova, m’u dukën fjalë boshe!
Nuk u fol fare për ndihmën që u duhet dhënë të varfërve, as për kumtimin e Lajmit të mirë mes njerëzve, që nuk e njohin Zotin.
E ndjeva veten të lume kur mbledhja përfundoi.
Kishin ngulur këmbë të merrja pjesë, po aty unë e ndjeva veten si peshku pa ujë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.