2008-08-07 18:24:59

Kosovë: kthime nga Islami në Krishterim, flet meshtari don Pren Kola.


(07.08.2008 RV)RealAudioMP3 Viteve të fundit në Kosovë kemi disa raste të pagëzimit të të rriturve, që kanë zgjedhur rrugën e përqafimit të fesë në Krishtin, pas një përgatitjeje serioze e të gjatë shpirtërore në doktrinën e krishterë. Pra disa shqiptarë të rritur, madje grupe familjare të fesë islame, janë pagëzuar në fenë e krishterë e kanë marrë Sakramentet e Krezmimit e të Kungimit. Rasti i fundit është ai i të dielës së kaluar, më 3 gusht, në Kishën e Shën Gjonit në Zllakuqan të Klinës, ku u pagëzuan 19 anëtarë të familjeve Mehaj, nga fshati Prigodë i Istogut, e të familjes Maksutaj, nga fshati Banicë i Pejës.
Eshtë fjala për një përcaktim të besimit fetar e të jetës personale të qytetarëve, madje bëhet fjalë për një zgjedhje më personale e njëkohësisht më të rëndësishme të rrugës së jetës, për atë të “metanojes”, sikur thotë Ungjillit, që është transformim, shndërrim rrënjësor i ekzistencës, lindje e njeriut të ri në fe. Asgjë nuk është më e rëndësishme sesa fitimi apo humbja e fesë; aq më tepër kur Pagëzimi pranohet në moshë të pjekur, me vetëdije të lirë, pasi është medituar me maturi të plotë, siç është rasti i fundit.
Pagëzimi është akt i jetës të brendshme, shpirtërore, jo spektakël mediatik, as logjikë politike. Është rilindje, jetë e shndërruar në të gjitha aspektet e saj, nën Dritën e Hyjit. Duke e shndërruar mënyrën e të qenurit e të veprimit, i pagëzuari nxitet të ecë në një drejtim të përcaktuar, në vend të një drejtimi tjetër. Pra, natyrshëm Pagëzimi ka një rol e një vlerë të jashtëzakonshme, sepse e ndryshon njeriun. E theksojmë këtë, sepse po të mos i ndryshojë zemrën, mendjen e veprimet e të pagëzuarit, do të thotë se nuk ka krijuar një të krishterë të vërtetë. Ndërsa duke ndryshuar mënyrën e tij të të qenurit e të veprimit, e nxit dhe e fton të ecë udhës së Kryqit, udhës së Jetës me fe, shpresë e dashuri. Po kjo përmasë vjen pas, si fryt i kthimit – “prej fryteve tuaja do t’ju njohin” - thotë Jezusi – e jo prej çastit kur mirret uji i jetës.
Për Kishën katolike çdo njeri që kërkon të marrë Pagëzimin, pas një kërkimi të thellë personal, një zgjedhjeje plotësisht të lirë e një përgatitjeje të përshtatshme, ka të drejtë të pagëzohet.
Në intervistën tonë me meshtarin kosovar don Pren Kolën do të njihemi me këtë fenomen, që ka zgjuar interes e reagime në Kosovë.RealAudioMP3










All the contents on this site are copyrighted ©.