2008-08-07 18:26:02

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Abati i Epesë shpik gjuhën e shenjave".


(07.08.2008 RV)RealAudioMP3 Paris, 1788. Një vajzë e vockël ecën rrugës së bashku me të jatin. Papritmas ndalet, tejet e habitur. Një grup fëmijësh mocatarë i kalon përpara. E pra këtu s’ka asgjë për t’u çuditur: hundët i kanë të pastra e veshjet, pa asnjë njollë. Por, me sa duket, vëmendjen e Marionit e tërheq sjellja e tyre. Duket sikur flasin, por nga goja nuk u del asnjë tingull. Bëjnë shenja e duket sikur i drejtojnë njëri-tjetrit pyetje, të cilave pastaj u përgjigjen po me shenja. E bisedimi duhet të jetë shumë i këndshëm, përderisa qeshin në heshtje. E vetmja zhurmë që dëgjohet, është ajo e hapave. Marion nuk gabohet: këta fëmijë bisedojnë gëzueshëm… pa thënë asnjë fjalë. Marion kthehet nga i jati e bëhet gati ta pyesë, po babi e ka kuptuar ç’kërkon të thotë, pa e hapur ende gojën.

“Janë shurdhmemecë. Këta fëmijë kanë lindur me veshët e shurdhër. E, me që nuk dëgjojnë, nuk munden as të flasin. Për të komunikuar, flasin me gjuhën e shenjave, një gjuhë që përdor gjestet në vend të fjalëve, a e kupton Marion? Bëjnë një shenjë me krah ose me dorë, e kjo shenjë tregon një fjalë”.

“Baba, po kush ua mësoi këtë gjuhë?”.

“U shpik pak kohë më pare: shpikësi i saj është ende gjallë. Njeriu i jashtëzakonshëm është meshtar e quhet Abati i Epesë. Një ditë mendoi se nuk ishte mirë që shurdhmemecët të liheshin në atë gjendje: me që askush nuk mund t’i kuptonte, e as të fliste me ta, ishin braktisur në fatin e tyre, ishin përjashtuar nga familjet e nga shoqëria. Konsideroheshin si të sëmurë a të mangët në tru e të gjithë i kishin frikë. Abati i Epesë nisi të mendonte se një sjellje e tillë ishte e turpshme: shurdhmemecët janë bij të Zotit, si të gjithë njerëzit. Si unë e si ti! Nuk kemi të drejtë t’i braktisim, si të ishin egërsira”.
“E pra, t’i shikosh, duken fare normalë!”.
“Po, sigurisht, Marion. Janë njerëz të zgjuar e të ndjeshëm, si gjithë të tjerët. Por ishin të detyruar të jetonin mbyllur në heshtje, derisa abati i Epesë nuk i çliroi nga ky burg. Tani është hapur një shkollë e posaçme për ta, ku mësojnë gjuhën e shenjave. Mësojnë të flasin me njëri-tjetrin, madje edhe të shkruajnë e të komunikojnë me njerëzit si ne, që nuk e njohim gjuhën e tyre. E kështu shurdhmemecët nuk jetojnë më të mbyllur në burgun e heshtjes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.