2008-08-06 17:27:42

Pekin 2008: para fillimit të Lojërave Olimpike. Urimet e Papës. Arrestime për manifestimet pro Tibetit


(06.08.2008 RV)RealAudioMP3 Arriti në Pekin, pas 130 ditësh udhëtimi, Pishtari olimpik, që u ndoq pas kudo nga protesta për Tibetin. Në se nga njëra anë njerëzit festojnë hyrjen e Pishtarit të Olimpiadës në kryeqytetin kinez, nga ana tjetër – pranë stadiumit ku pasnesër do të fillojnë Lojërat olimpike – policia arrestoi katër manifestues, që po varnin një parullë në të cilën shkruhej “Free Tibet” – “Tibeti i lirë!”.
Por ajo që i alarmon më tepër autoritetet kineze, është rreziku i akteve terroriste, që mund ta trondisin zhvillimin e qetë të Lojërave. Dje, përveç trazirave të tjera, u arrestuan 18 vetë, të akuzuar se përgatiten atentatin që, dy ditë më parë, shkaktoi në Xinijang, vdekjen e 16 policëve.
E ndërkaq dje mendimi i Bendiktit XVI, shkoi përsëri në Kinë në sa, gjatë vizitës në Val Badia, nderoi kujtimin e një biri të shquar të kësaj toke: Shën Jozefin Frainademec, misionar në tokën kineze në shekullin XX. T’i dëgjojmë fjalët e Papës:
“Një Shenjt jashtëzakonisht aktual: e dimë se Kina bëhet gjithnjë më e rëndësishme në jetën politike, ekonomike e edhe në jetën e ideve. Ka shumë rëndësi që ky vend t’ia hapë portat Ungjillit!”.
E më pas:
“Shën Jozefi Frainademec na dëshmon se feja nuk është tjetërsim për asnjë kulturë, për asnjë popull, sepse të gjitha kulturat e presin Krishtin, që nuk i shkatërron: përkundrazi, me Të arrijnë pjekurinë e tyre të plotë”.
Së fundi kujtojmë edhe se të dielën e kaluar, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI përshëndeti sportistët që do të marrin pjesë në Olimpiadën e Pekinit, duke u uruar të arrijnë rezultatet e dëshiruara, në frymën e vërtetë të garave olimpike.







All the contents on this site are copyrighted ©.