2008-08-06 17:28:30

Kisha kremtoi festën e Shndërrimit të Krishtit mbi malin Tabor.


(06.08.2008 RV)Liturgjia e sotme na fton ta ndjekim Krishtin mbi Tabor, mbi malin e heshtjes e të kundrimit, përvojë të cilën Kisha ua këshillon të gjithë besimtarëve, në forma të ndryshme, që u përshtaten thirrjeve e kushteve të posaçme të jetesës, në mënyrë që bashkësitë e krishtera të bëhen shkolla të vërteta lutjeje, ku të ngadhënjejë në shpirt misteri i dritës dhe i dashurisë së Hyjit.
Duke kundruar Taborin, kuptojmë më mirë se rruga e kryqit dhe ajo e lavdisë janë të pandara: duke pranuar deri në fund të fundit planin e Atit, në të cilin qe shkruar se Jezusit do t' i duhej të vuante për të hyrë në lavdinë e tij, Krishti provon që në këtë jetë dritën e ringjalljes.
Edhe ne, duke mbartur çdo ditë me fe plot dashuri Kryqin, provojmë, njëheresh me peshën e rëndë, edhe forcën e risimit e të ngushëllimit. Me Jezusin e marrim atë dritë të brëndshme, posaçërisht ndërsa lutemi. Kur zemra është pushtuar nga Krishti, jeta ndryshon. Rrugët më fisnike e, posaçërisht, ato më ngulmueset, janë fryt i bashkimit të thellë e të vazhdueshëm me Hyjin në heshtjen e uratës.
Kujtojmë se shndërrimi i Jezusit mbi malin Tabor është i katërti në misteret e dritës, shtuar mistereve tradicionale të Rruzares shenjte nga Papa Gjon Pali II në vitin kushtuar pikërisht Rruzares.
Misteret e dritës janë: Pagëzimi i Jezusit në Jordan, kur Ati nga qielli thotë: "Ja, biri im, të cilin e kam për zemër", e ky është zbulimi i misionit të Birit të Hyjit; pastaj mekullia e Jezusit në Dasmën e Kanës, shenjë e shndërrimit dhe e shenjtërimit të të gjithë realitetit të krijuar e sidomos e njeriut të shndërruar nga Biri i Hyjit; misteri i tretë është kumtimi i Mbretërisë së Hyjit me shembëlltyra e shenja shëlbuese. I katërti - shndërrimi i Jezusit mbi Malin Tabor dhe së fundi, i pesti, themelimi i Eukaristisë, si dhanti Pashkësh e si sakrament që përmbledh në vetvete të gjitha sakramentet e shëlbimit, të cilat Krishti ia dhuroi Kishës për shpëtimin e njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.