365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Jozef Hajdn kompozon shtatë
fjalët e fundit të Krishtit mbi kryq".
(06.08.2008 RV) “Sivjet muzikën
e shkroi Jozef Hajdn”. “Muzikanti i famshëm austriak?”. “Thuhet se punoi dy
vjet për ta kompozuar. Në se dëshiron të dish ç’mendoj, do të jetë diçka mahnitëse…”. Papritmas
dy kumbarët heshtin. Sapo kanë zbritur nga shkallët që çojnë në Kishën e Shën Kyeva
de Kadiz, në Spanjë, e janë zhytur në errësirë. Kisha është përplot, por nuk dëgjohet
as fryma. Heshtje e plotë… nuk është as vendi as koha për llafe. Në vitin 1797, si
çdo vit, në Kadiz kremtohet e Premtja e Madhe, që kujton ditën e vdekjes së Jezusit.
Në Kisha shuhen të gjitha dritat, deri në ditën pas, kur kremtohet Ngjallja. Në katedrale
i kanë mbuluar me perde edhe dritaret, që të mos depërtojë asnjë rreze dielli. Por
Shën Kyeva është ndërtuar në një shpellë: këtu s’ke ç’të mbulosh! Mes lutjeve që
thuhen me këtë rast, është edhe ajo e mesditës, kur meshtari lexon fjalët e fundit
të shqiptuara nga Krishti në kryq. Ndërmjet njërës frazë e tjetrës, luhet një pjesë
muzikore; e kompozitori ndërrohet vit për vit. Sivjet muzika e Hajdn krijon një jehonë
rrënqethëse, pas çdo fjale të Jezusit. “Fali, o Atë, se nuk dinë ç’ bëjnë!”.
– ushton fjala e Zotit, e nga instrumentet muzikore dalin tinguj të butë, të ëmbël,
si zëri i Krishti, që i fal vrasësit. Pastaj Jezusi i përgjigjet hajdutit të kryqëzuar
pranë tij, që i kërkon të kujtohet për të, kur të jetë në mbretërinë e Hyjit. “Sot
ti do të jesh me mua në Parajsë!”. Violinat, që pak më parë ishin të ngarkuara
me ankth, si kraharori i hajdutit, pas premtimit, qetësohen. Tingujt e tyre të kujtojnë
jehonën e flatrave të engjëjve në fluturim… Pastaj Jezusi ia beson Marinë Gjonit:
“Grua, qe yt Bir. Bir, qe nëna jote!”. Por papritmas, i mbërthyer nga kthetrat
e angushtisë, Krishti bërtet: “Hyji im, Hyji im, pse më lëshove dore!?”. Në
sa shqiptohen këto fjalë, nga violinat shpërthen një vullkan tingujsh. “Kam
etje!”. Instrumentet e përsërisin me gjuhën tyre tingëllore këtë frazë, një
herë, dy. Fraza zgjatet, zgjatet e me të edhe etja e Zotit në kryq. “Gjithçka
u krye!”. E pastaj: “Atë, në duart tua po e dorëzoj shpirtin tim!”. Pasi dëgjon pjesën, që pason fjalën e fundit të Krishtit, publiku shpërthen në
një duartrokitje të stuhishme. Hajdn ka ruajtur për në fund, një të papritur: tregon,
në muzikë, tërmetin që trandi tokën pas vdekjes së Krishtit. Një muzikë nga e cila
dridhen edhe muret e Kishës e duket sikur do të çahen, si muret e tempullit… Në përfundim
të kremtimit mbresat janë aq të fuqishme, sa njerëzit vijonë të flasin për Shtatë
Fjalët e Krishtit mbi kryq, kryevepër në të cilën Hajdn shkriu gjithë gjeniun e e
gjithë fenë e tij.