2008-08-05 19:34:03

Nesër, salikimet e Aleksandër Sollzhenicin: takimi i shkrimtarit me Papën Vojtila.


(05.08.2008 RV)RealAudioMP3 ‘Njeri i madh i shekullit’ për presidentin rus Medvedjev; ‘profet’ për Kishën ortodokse të Moskës, ‘guximtar’ për kryeministrin Putin, ‘njeri me fat të pashembullt’ për atin e pjerestrojkës, Gorbaçiov. Po flasim për Aleksandër Sollzhienicin, që vdiq parmbrëmë në kryeqyetin rus, në moshën 89 vjeçare. Sot trupi i tij u vendos në selinë e Akademisë së Shkencave në Moskë. Nesër - salikimet solemne të njeriut, që pati një jetë aq të ndërlikuar, gjatë së cilës pa shumë ngjarje e njohu shumë njerëz të zakonshëm, por edhe të jashtëzakonshëm, siç ishte vetë. Ndërmjet tyre, Papa Gjon Pali II. Për takimin e dy shpirtrave të mëdhenj të botës sllave, në mikrofonin tonë, atë Sergjio Merkanzin, drejtor i Qendrës Ekumenike Ruse, që e njohu personalisht shkrimtarin e madh dhe familjen e tij:

Përgjigje: - Dua të kujtoj të birin, që pata gëzimin ta shoqëroj te Gjon Pali II, i posa zgjedhur papë. Gjon Pali II, sapo e pa, i tha menjëherë: “Kur do të mund ta shoh babain tuaj?”. Pas shumë vitesh Papa Vojtila e Sollzhienicin u takuan: ishte një audiencë e gjatë, shumë e gjatë, nga e cila të dy njerëzit e mëdhenj dolën jashtëzakonisht të prekur.

 
Pyetje: - Ç’kujtim ju ka mbetur më i freskët nga tetori i vitit 1993?

 
Përgjigje: - Ishin dy figura të mëdha që patën fatin të njiheshin personalisht: e dëshironin këtë prej dekadash. Dy shpirtra të mëdhenj, që po i flisnin njëri-tjetrit.

 
Pyetje: - Ishte fryt i impenjimit ekumenik ky takim?

 
Përgjigje:- Ishte impenjim ekumenik, por do të thosha se më tepër ishte takim ndërmjet dy shpirtrave të mëdhenj sllavë, që e kuptonin mrekullisht mirë njëri-tjetrin. Të dy ishin të vetëdijshëm se të jesh sllav, është fat i madh e pastaj, flisnin dy njerëz të impenjuar në të njëjtën betejë të madhe, në betejën kundër komunizmit, për lirinë. Folën kryesisht për situatën në botë, duke u ndaluar posaçërisht tek Rusia, tek gjithë Lindja, e pastaj, natyrisht, edhe për marrëdhëniet ndërmjet katolikëve e ortodoksëve. Kujtojmë se Sollzhienicin qe në moshë të pjekur e se gjithë jetën e deklaroi haptazi se ishte besimtar ortodoks.

 
Pyetje: - Ç’mund të kujtojmë për të, si besimtar ortodoks?

 
Përgjigje: - Fenë e tij tepër të madhe, që pastaj mishërohej në një koncept që i jepte Rusisë rol të madh në botë, edhe nga pikëpamja fetare: rolin për ta bërë zërin e Zotit të dëgjohet në realitet, në shoqëri, në politikë, në kulturë, në letërsi…

 
Pyetje: - Ç’përfaqësonte për Kishën figura e Sollzhienicin?

 
Përgjigje: - Përfaqësonte, mbi të gjitha, figurën e një martiri: persekutimi, të cilit iu desh t’i nënshtrohej, ishte tepër i rëndë, e po aq i rëndë qe edhe mërgimi, sepse ai ishte rus i vërtetë, me rrënjë të ngulura thellë në tokën e tij. Mërgimi qe një vuajtje jo më pak e madhe, sesa Gulagu.

 
Pyetje: - Shkrimtari i madh jetoi disa faza të historisë në Bashkimin Sovjetik e më pas, edhe të Rusisë. Provoi kampet e përqendrimit, dëbimin nga atdheut e rikthimin, më 1994. Kur u rikthye, e nisi udhëtimin pikërisht nga Lindja e largët ruse, ku kishte qenë një nga kampet më të tmerrshme të përqendrimit. Ç’rol luajti shkrimtari në shndërrimin e Rusisë?

 
Përgjigje: - Sollzhienicin ishte një nga njerëzit që luajtën rol të dorës së parë në shndërrimin e Rusisë. Në se nuk do ta kishim ‘Arkipelagun Gulag’ dhe veprat e tij të tjera, nuk do ta kuptonim të vërtetën mbi Bashkimin Sovjetik. Prandaj duhet t’i jemi mirënjohës për këtë: kujtoj një profeci që bëri dikush, kur po e dëbonin: “Pas disa vjetësh asnjeri nuk do të kujtohet më për krizën në të cilën jetojmë, por të gjithë do ta kujtojnë figurën e ndritur të të persekutuarit Sollzhienicin!”.

 
Pyetje: - Ju, personalisht, si e kujtoni Shkrimtarin e madh?

 
Përgjigje: - Një mëngjes heret e shoqërova në Kapelën Sikstine, që ishte ende e mbyllur për publikun. Sollzhienicin u emocionua thellë, gati-gati kaloi në ekstazë. Si kishte admiruar kryeveprën e pavdekshme, më pyeti në se mund të ulej: ishte aty një bankë, ku u ul për të vijuar admirimin. Pastaj nisi të shkruajë: shkruante e admironte. Mendova me vete: “Ja, në një farë mënyre i ndihmova të njihen dy viganët: Mikelanxhelon e Sollzhienicin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.