2008-08-05 19:36:08

Bazilika romake e Shën Marisë së Madhe rijetoi ‘mrekullinë e dëborës’.


(05.08.2008 RV)RealAudioMP3 Sot, në festën e Kushtimit të Bazilikës romake të Shën Marisë së Madhe, Shenjtërorja më e lashtë kushtuar Zojës së Bekuar, u kremtuan Mesha pontifikale dhe lutjet e dyta mbrëmësore të solemnitetit, kryesuar nga kardinali Bernard Frensis Loo, kryeprift i bazilikës, pasuar nga kremtimet e mbylljes. Si çdo vit besimtarët, mbledhur me shumicë në të tre kremtimet, rijetuan ‘mrekullinë e dëborës’, që të rikujton dukjen e Zojës së Bekuar në Eskuilin, në vitin e largët 358…
Gojëdhëna tregon se natën e 5 gushtit të vitit 358, Zoja e Bekuar iu duk njëherësh Papës Liberi e patricit romak, Gjonit dhe i ftoi t’i ndërtonin një kishë në atë vend, ku do të binte dëborë atë natë të nxehtë romake. E dëbora ra. Të nesërmen, në prani të një turme romakësh, Papa ravijëzoi në dëborë perimetrin e asaj kishe, që do të bëhej bazilika e parë e ndërtuar në këtë vend e që u quajt Shën Maria e Dëborës.
Çdo 5 gusht në bazilikë kremtohet festa e Shën Marisë së Dëborës. E në të njëjtën ditë, edhe shugurimi i saj. Gjatë të dy kremtimeve, sipas traditës, mbi besimtarët reshet nga lart një shi me petale të bardha trëndafilash, në kujtim të flokëve të dëborës, që ranë mrekullisht natën e largët të vitit 358. Natyrisht Bazilika aktuale, që njihet si e Shën Marisë së Madhe, është rindërtuar disa herë gjatë shekujve, përmbi themelet e lashta, shënuar së pari mbi dëborë.







All the contents on this site are copyrighted ©.