2008-08-04 17:46:57

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Kisha koreane, mision pa misionarë".


(04.08.2008 RV)Jemi nga fundi i shekullit XVIII e Koreja nuk pranon asnjë ndikim nga jashtë, aq më pak, nga shteti fqinj, Kina. Rreth viteve 1780 disa të rinj koreanë i përpijnë librat kinezë, që flasin për astronominë – shkencë që merret me studimin e yjeve – për gjeografinë - që i ndihmon ta zgjërojnë horizontin – e në mënyrë të posaçme, për krishtërimin. Për koreanët është fe krejt e re. Lee Seeung-Hun, një nga këta të rinj, bir ambasadori, vendos të shkojë në Pekin për të marrë pagëzimin. Në Pekin takohet me etërit jezuitë, të cilët e ndihmojnë të mësojë të vërtetat e mëdha të fesë. Si kthehet në Kore, i riu mbledh shokët për t’i njohur edhe ata me Jezusin e për t’i pagëzuar. Koreanët zbulojnë një Zot, që kujdeset për çdo njeri e dëshirojnë ta jetojnë sa më shpejt këtë fe, në të cilën lidhen ngushtë lutja e veprimi. Kanë etje për vëllazërim. Disa luten, të tjerë krijojnë këngë fetare, të tjerë akoma i ndajnë pasuritë e tyre me të gjithë, siç bënin të krishterët e parë.
Të krishterët koreanë shtohen si yjet në qiellin e kthjelltë. Bëhen një mijë, dy mijë, tri mijë… e kështu lind Kisha. Po autoritetet e shikojnë me dyshim fenë e re dhe, shumë shpejt, i ndalojnë librat e ardhur nga jashtë. Në Seul një nga bashkësitë shpërndahet e kryetari i saj, Tomas Kim, internohet. Si mund të mbahet gjallë feja në këto kushte? Aq më tepër sepse kisha koreane ka vetëm laikë. Atëherë të krishterët i kërkojnë Kinës t’u nisë një meshtar në Kore. E kështu, më 1794, Zhak Shu kapërcen fshehurazi kufirin. Kur arrin, gjen katër mijë të krishterë koreanë. Përshkon kryq e tërthor vendin, duke udhëtuar natën. Fshihet. Ikën nga autoritetet. Pagëzon, jep mësime katekizmi, kremton Eukaristinë, i ushqen të krishterët me Korpin e Krishtit. E besimtarët vijojnë të shtohen, si buka e jetës së re.
Por pushteti vendos t’i japë fund kësaj feje: nis t’i përndjekë besimtarët. I burgos, i torturon. Kur Zhak Shu zbulon se disa besimtarë pranojnë më mirë vdekjen, sesa t’u tregojnë autoriteteve ku fshihet ai, shkon e dorëzohet vullnetarisht. Torturohet e, më 1801, mbytet mizorisht.Shumë shpejt misionarë të tjerë, posaçërisht francezë, dërgohen në Kore. Por laikët vijojnë ta paguajnë me jetë besnikërinë ndaj Krishtit. Dhjetë mijë të krishterë vdesin si martirë. Mbi gjakun e tyre hedh shtat Kisha koreane, një nga më të lulëzuarat në botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.