2008-08-03 11:44:59

Me Nënë Terezën : “Vepra e Zotit”.


(03.08.2008 RV)Cikli radiofonik “Me Nënë Terezën” inkuadrohet në atmosferën meditative që krijojnë dy data përkujtimore: 26 gushti, 98 vjetori i lindjes së Ganxhe Bojaxhiut dhe 5 shtatori, kur mbushen 11 vjet nga dita e kthimit të së Lumes Terezë tek Ati qiellor. Bazohet tek libri ‘Jeta ime’, nga faqet e të cilit, në emisionin e dytë, e Lumja shqiptare na flet për mënyrën si e konceptoi Kongregatën e Motrave të Dashurisë. Motrat e vëllezërit e Nënë Terezës nuk planifikojnë asgjë: është Zoti ai që planifikon për ta, ditë për ditë, orë për orë, prandaj gjithçka bëjnë, s’është tjetër, veçse ‘Vepra e Zotit”. Nënë Tereza tregon:

“Një herë, një funksionar i lartë i qeverisë indiane më tha: “Ne e ju merremi me të njëjtën veprimtari shoqërore. Por ndryshimi ndërmjet jush e nesh është shumë i madh: ju punoni për dikënd; ne, për diçka.
Ai e dinte se Dikushi ynë ishte Jezusi. Një Jezus i fshehur, i cili shikohet nën dukjen e dhimbshme të njerëzve që vuajnë rrugëve e skajeve të harruara të viseve tona.
Nga që Kongregata jonë është ende tepër e re, eproret tona shpesh nuk e kanë përvojën e duhur.
Prandaj unë i këshilloj gjithnjë motrat e mia:
“Duhet të silleni mirë me ta e t’i kuptoni. Vëreni dorën e Zotit të mirë, që përpiqet të shkruajë një mesazh të bukur dashurie personale për secilën prej jush, duke përdorur një laps tejet të thjeshtë, ndoshta edhe me majë të thyer. Prandaj mos shikoni lapsin, po dorën e Zotit, që e përdor e zemrën e Zotit, që shkruan me të.
Në organizimin e veprimtarive të apostullimit të Misionareve të Dashurisë, nuk ka planifikim, e as ide të mirëpërcaktuara.
Ia nisim punës sipas nevojave që na paraqiten.
Zoti e pranoi detyrën të na tregojë çka dëshiron nga ne orë për orë, ditë për ditë.
Gjithçka ështe vepër e Tij.
Asgjë nuk është vepra ime!







All the contents on this site are copyrighted ©.