2008-08-03 11:45:24

Filip Shiroka në 149-vjetorin e lindjes.


(03.08.2008 RV)Filip Shirokën, lindur 149 vjet më parë në një shtëpi karakteristike shkodrane, që në letërsinë shqipe njihet si Poeti i dallndyshës, po e kujtojmë pikërisht me vargjet e njohura të poezisë:

Shko Dallëndyshë
Udha e mbarë se erdh pranvera,
shko, dallëndyshë tue fluturue,
prej Misirit n'dhena tjera,
fusha e male tue kërkue;
n'Shqypni shko, pra, fluturim,
shko në Shkodër, n'gjytet tim.
Shndet prej mejet të m'i falesh
‘saj shpisë vjetër ku kam lé,
me ato vende rreth t'përfalesh,
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet gjytetit tim.
Shko n’at shkollën ku jam msue
Me shokë t’mi, shok’t e fminisë,
shko n’at kishë ku kam urue,
t’parën lutje Perendisë:
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet gjytetit tim.
 
Me ato male, me ato kodra,
me ato prroje rreth t'përfalesh
n'ato fusha që m'ka Shkodra
të lulzueme, aty t'ndalesh;
tue kndue me ambëlcim,
fal me shndet gjytetit tim.
 
T'mujsha edh’ un' me fluturue
dojsh’ edhe un' me u nisë me ty,
dojsha n'Shkodër me kalue,
m'e pa prap at' vend me sy!
Por... ti shko atje... fluturim
e ti qajma fatin tim.

 
Dhe kur t’mërrish në Fush’ t’Rmajit,
dallndyshë ulu me pushue;
kam dy vorre n’at vend vajit
t’nanës e t’ babës qi m’kanë mjerue:
kjáj me zâ t’permallshëm shqim,
nji kangë tanden gjithë vajtim!

 
Ka shumë kohë qi s’jam n’Shyqpní,
N’ato vorre me vajtue:
ti dallndyshë, veshun në zí,
ti aty pra kjáj për mue,
me nj’at zâ t’ përmallshëm shqim
kangën tande për vajtim!








All the contents on this site are copyrighted ©.