2008-08-03 16:53:04

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.: “E vërteta për misionet e jezuitëve në Paraguai".


(03.08.2008 RV)RealAudioMP3 Në vitin 1767, në misionin katolik të Sen Lyi, në Paraguai, një ushtar hyn në banesën eprorit të misionarëve e i thotë me zë të rreptë:
“Në emër të mbretit të Spanjës, jeni i arrestuar. Jezuitët janë meshtarë obskurantistë, i mbajnë njerëzit në errësirë e padije, i zvetënojnë, për t’i sunduar më mirë. Prandaj Urdhëri i Jezuitëve është i ndaluar si në Spanjë, ashtu edhe në mbarë Amerikën spanjolle.
Meshtari ndjen si i zjen gjaku ndër vena.
“Kapiten, të bëjmë së bashku një vizitë atje ku punojnë misionarët, kështu ti do ta shikosh me sytë e tu në se i kemi zvetënuar indianët guaranë, apo jo”.
Dy burrat dalin e ndodhen menjëherë para Kishës së fshatit, zbukuruar me art. Udhëve ndjehet fryma e paqes e e mirëqenies. Këtu jeton një indian që punon instrumente muzikore: ushtari nuk ka parë kurrë në jetën e tij një lahutë kaq të bukur, madje as në Evropë nuk dinë t’i punojnë kështu. Më tutje shikon edhe një grua, që end stofa të çmuara e, pranë banakut të saj, shikon një shtypshkronjë. Ndërsa shfleton librat, kapiteni nuk mund ta fshehë admirimin.
“Është gati e pabesueshme të gjesh vepra kaq të pasura, në mes të pyjeve të Amazonës”
Eprori e shikon me pamje ngacmuese.
“Atëherë është e vërtetë që i mbajmë indianët në padije të thellë?”.
“Po, ju… shfrytëzoni punën e tyre… mbushni xhepat tuaj me paratë që fitoni duke shitur këto sende të mrekullueshme…”.
“Në misionet tona pasuritë ndahen në mënyrë të barabartë ndërmjet të gjithëve. Po ju keni të drejtë?! Duhet t’i kishim lënë guaranët siç ishin para se të vinim ne. Ishin kanibalë, kaqtrajtonin gratë, shtriganët flijonin njerëz e ua hanin edhe mishin… Askush nuk mendonte për të sëmurët e pleqtë. Nganjëherë kolonët evropianë arrinin deri këtu për të kapur indianët e për t’i shitur si skllevër. Ç’të të them, para se të vininim ne, këtu ishte ashtu siç thatë edhe juve, dmth. Parajsë e vërtetë”.
Ushtari ul kokën i turpëruar.
“Unë s’po e kuptoj pse duhet t’ju arrestoj…?!”.
Eprori psherëtin.“Në Evropë disa mendimtarë, të quajtur ‘filozofë’ e sulmojnë fenë, duke ngulur këmbë se i mban njerëzit në errësirë e se është shkaktare e mjerimit të tyre. Tridhjetë misionet, që kemi në Paraguai, të cilat numërojnë mijëra indianë, janë të organizuar mrekullisht mirë e prodhojnë pasuri të mëdha. Guaranët jetojnë të lumtur e kanë mundësi t’i zhvillojnë talentet e tyre. Misionet tona dëshmojnë se filozofët gënjejnë. Janë ziliqarë! E me që kanë një farë ndikimi mbi sundimtarët e Evropës, ia dolën mbanesh t’ua mbushin mendjen për të na dëbuar. Por, për fat të mirë, edhe në se këto misione do të zhduken, guaranët nuk do ta harrojnë kurrë se krishterimi u solli lirinë dhe barazinë e vërtetë. Kapiten, ja ku më keni, jam i burgosuri juaj!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.