2008-08-02 18:11:56

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Lazër Spalancani, meshtar e biolog".


(02.08.2008 RV)Maria ndalet papritmas në prag të derës. Nuk i bëhet as të hyjë në dhomë e as të dalë. Shikon, e habitur në kulm, sesi një varg i gjatë thithëlopash, të mbathura me brekë, vallëzojnë mbi tryezë. Shërbëtorja plakë e di mirë se zotëria i saj është studiues tuhaf. Gjithsesi nuk i kishte ndodhur kurrë ta shikonte kështu, duke soditur gjithë kënaqësi thithëlopat, që hidhnin këtë valle të çuditshme. Lazër Spalancani i kris gazit, duke parë në fytyrën e zonjës plakë, një shprehje tejet qesharake.
“Është eksperiment, Mari!”.
“Më fal, zotëri, e mora me mend!”.
“Po mundohem të zbuloj parimin e riprodhimit të qenieve të gjalla, kupton?”.
Po Maria nuk kupton hiç gjë. E pra sigurisht që këto brekë nuk janë mbathur kot e zotëria i saj nuk është aspak i çmendur. Po përpiqet të vërtetojë se qelizat riprodhuese të mashkullit e ato të femrës, janë njëlloj të nevojshme, për të krijuar një qenie të gjallë. Disa mendojnë se mjaftojnë vetëm qelizat e mashkullit; të tjerë ngulin këmbë për domosdoshmërinë e qelizave riprodhuese të femrës. Ndërsa Spalancani mendon se të dyja janë njëlloj të domosdoshme. Dhe e vërteton… në sajë të brekëve. Duke vënë së bashku mashkullin e femrën, fara mashkullore pëllenon femrën e, pak më vonë, lindin larvat e reja të bretkosave. Por në se vë një mashkull ‘me brekë’ me një femër, nuk krijohet gjë pre gjëje, sepse qelizat riprodhuese mashkullore nuk mund të lidhen me ato femërore.
Spalancani sapo ka zbuluar vetëm një pjesë të misterit të transmetimit të jetës. Vetëm një pjesë. Prandaj do t’i vijojë kërkimet shkencore, të cilat do t’i hapin një rrugë të re shumë studiuesve të tjerë. Ndërsa disa shkencëtarë të epokës së tij arsyetojnë teorikisht, në mënyrë abstrakte, Spalancanit i pëlqen më shumë praktika. Formulon ide të reja, vetëm pasi i eksperimenton e i vërteton. Spalancani nuk është studiues si gjithë të tjerët: ai është kryesisht Meshtar.Student i shkëlqyer, Lazri kishte përpara një karrierë të ndritur shkencore, letrare a juridike… më mirë të themi, këtë shpresonte i jati, derisa i biri nuk kishte vendosur ende të bëhej prift. Në vitin 1754 Lazri shugurohet meshtar. I jati dëshpërohet në kulm, ndërsa djaloshi është i sigurtë se ka zgjedhur rrugën e duhur, aq më tepër sepse eprorët e lejojnë të jetojë si meshtar, pa hequr dorë nga pasioni i tij për shkencat, posaçërisht për biologjinë. E ai arrin të jetojë si meshtar e si shkencëtar njëkohësisht, ngaqë pasionet e tij përkojnë plotësisht e sidomos, ngaqë e di mirë se të gjitha zbulimet e mrekullueshme që realizon, janë fryt i veprës së Hyjit.








All the contents on this site are copyrighted ©.