2008-08-01 17:06:10

U hap sot paradite, në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve, solemniteti i Ndjesës së Asizit.


(01.08.2008 RV)“Dua t’i çoj të gjithë në Parajsë”: me këto fjalë, plot gëzim, Françesku i Asizit i komunikonte, më 2 gusht 1216, të gjithë atyre që kishin rendur për ta dëgjuar në Porciunkola, se Papa Onori III kishte pranuar t’u jepej ndjesa e plotë të gjithë atyre që do ta kërkonin. E kjo traditë, e ruajtur deri në ditët tona, përtrihet sërisht sot e nesër në bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve në Asizi dhe në të gjitha kishat françeskane.
Ndjesa e Asizit 2008 nisi sot me kremtimin solemn eukaristik të natës së festës, udhëhequr nga Eprori i përgjithshëm i Urdhërit të Fretërve të vegjël, Atë Josè Rodriguez Carballo, Legat papnor për Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve, për të vijuar me veprimtari të tjera, si shtegtimi i dioqezit të Asizit, kremtimi i lutjeve të mbrëmjes dhe oferta e kemit.
Kujtojmë se nga mesdita e sotme, 1 gusht, deri në mesnatën e nesërme, mund të fitohet ndjesa e plotë e Porciunkolës. Festa e merr emrin nga kishëza, që ndodhet në Asizi të Italisë, ku Shën Françesku më 1216 iu lut Zotit t'ua falë të gjitha fajet e mëkatet besimtarëve që do ta vizitonin këtë kishëz më 1 e 2 gusht, të penduar e të rrëfyer.
Për ta fituar këtë ndjesë, mund të vizitohet Kisha françeskane më e afërt, ose kisha e caktuar për këtë kremtim, që i siguron besimtarit të penduar fillimin e një jete të re, jetës së Zotit tonë Jezu Krishtit në jetën tonë. Kanë kaluar qindra vjet, që nga koha kur Ndjesa e Porciunkolës u kremtua për herë të parë, por festa vijon të jetohet me pëshpirtëri të thellë, sepse vlera e mëshirës hyjnore është e amshuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.